Nga Shpëtim Nazarko
Po dëgjoja Doktor Berishën mbrëmë tek Eni Vasili dhe m’u rikthyen edhe njëherë ngjarjet e datave 20 dhe 21 shkurt. Ndoshta edhe nuk ka vlerë, por edhe ndoshta po, ritregimi im, apo ndryshe i një dëshmitari okular brenda selisë së PD-së. Isha i vetmi që flija brenda saj atë kohë, sepse nuk banoja në Tiranë.
Mbaja dhe zyrën e informacionit, shenjë e dashamirësisë së Doktorit, që në fakt më gjeti një punë kështu, para se të zija rrugët e emigracionit. E shihja me ftohtësi gjithë çfarë po ndodhte.
Mosha më lejonte të kuptoja se sistemi kishte ngordhur, por ajo që po dukej në horizont, qoftë edhe duke parë oborrin e PD-së, do të ishte një përsëritje ndoshta më e mjerë e asaj që kisha përjetuar për tridhjetë vjet.
Aty nga ora 6 apo 7 e mbrëmjes në Selinë qendrore, erdhi Pashko, që me atë stilin e tij të njohur, thirri tërë qejf: “E hoqëm Dullën… e qëruam…!”
Të gjithë e dëgjuan, po mendja ngelej te lajmet qendrore, ku foli Ramiz Alia. Të mbledhur rreth tavolinës së madhe ku rrinte Doktori, po dëgjonim. Komunisti plak mallkoi një copë herë për rrëzimin e bustit, por pastaj tha frazën e njohur “Këtu nuk është asnjë i tepërt…”
Nuk m’u mbajt të qeshurit dhe dola jashtë. Ramizi kishte mbyllur punë me monumentin dhe ishte në vazhdën e lojës së tij. Në subkonshin tim mendoja se ai e kishte lojën në përgjithësi në kontroll dhe kjo jo shumë për shkak të tij. Kisha idenë se “dominoja e fundit” nuk do të binte me zhurmë, si në Rumani. Amerikanët nuk do të lejonin tani që sistemi të binte në duart e rusëve dhe do të kontrollonin çdo detaj të rënies së vendit komunist.
Po gjysmë ore më vonë bindja ime u lëkund. Një korrespodent shqiptar i Tanjugut, që pyeste shpesh në informacion, kërkoi të dinte çfarë po ndodhte në Tiranë pas rënies së bustit të Hoxhës. Fillova të tallesha dhe i thashë që pasi mbaruan punë me të, shqiptarët shkuan në shtëpi për të ngrënë darkë, a për të mbyllur punët e ditës. Nuk ishin aq budallenj si serbët, që të digjnin vendin… Mbaruan punë me të keqen dhe janë nëpër shtëpi, – i thashë…
Të shohim, – tha ai me gjysmë të qeshure dhe mbylli telefonin…
Më zuri shqetësimi dhe zura të kërkoj Doktorin. Ai bashkë me Selamin, Trakon dhe Zogajn duhej të iknin të nesërmen në mëngjes në Bruksel dhe Paris të ftuar nga Evropa. Më në fund e gjeta dhe më ftoi të shkonim nga shtëpia e tij.
Doktor, – i thashë. – Kjo histori që nuk ndodhi asgjë pas rënies së bustit të Hoxhës nuk më duket shumë e qartë. Kam frikë se nesër do ndodhë ndonjë hata, se në lojë nuk jemi vetëm ne, Alia, por edhe të tjerë rreth e rrotull, që do hedhin gjëkundi benzinë… Nuk më duket të shpëtojmë pa gjë. Është e bukur ta besojmë, por ndiej erën e leckës së djegur…
E çfarë propozon? – pyeti ai. Them që atë biletën tënde për nesër të mos ta përdorësh. Jepja dikujt tjetër dhe rri këtu. Se ndoshta vendi mund të jetë pa zot. Berisha u mendua pak dhe tha: Ke të drejtë, ashtu do bërë…
Kur Selami erdhi rrotull mesnatës në shtëpinë e tij ta pyeste, Doktori i komunikoi vendimin dhe biletën e tij e mori magazinieri i PD-së, një njeri me emrin Geri Bilivani, i cili do të shoqëronte delegacionin, meqë njihte edhe ftuesin apo përgatitësin e vizitës, Idriz Bashën.
U ngrita dhe ika për të fjetur i vetëm në zyrën e PD-së, si zakonisht. Nga ora 8 apo 9 e mëngjesit duket se frika që kisha po realizohej. Një turmë e madhe po drejtohej drejt qendrës, duke synuar të digjte si fillim muzeun e Hoxhës. Pastaj do t’i drejtohej Bllokut. Pastaj papritmas kërciti telefoni. Ishte Bajram Yzeiri, drejtori i Policisë së Tiranës. Ai po lutej që të kthenim turmat, sepse te Muzeu ushtarët nuk kishin fishekë manovre, po luftarakë dhe do të ndodhte kasaphanë reale.
I thashë që unë nuk kisha fuqi të bëja gjë, se isha një farë dezhurni dhe në Seli nuk kishte këmbë njeriu. Ishte vetëm një ekonomist me emrin Agron Cika dhe një i administratës me emrin Pëllumb Karameta dhe një ish-i dënuar, që rrinte pothuaj tërë kohën atje, më duket me emrin Ali Bulku.
Në seli nuk ishte as Berisha, as Pashko, as Meksi dhe asnjë njeri tjetër. Nuk e di dhe s’e mora vesh asnjëherë ku ishin në ato momente… As sot e kësaj dite…
Telefoni binte pa pushim dhe përsëri unë i jepja të njëjtën përgjigje lutjeve të pafundme të Bajram Yzeirit…
Më në fund, rastësisht në seli erdhi Neritan Ceka. Ai kërkonte një tip ftese, ardhur nga amabasada gjemane, a diçka e tillë. I thashë ç’po ndodhte. Më pa me njëfarë çudie dhe tha të lajmëroja doktorin. Ku ta gjej! – i thashë. Këtu nuk ka nga ju të udhëheqjes gjëkundi.
Pasi iu luta shumë herë, Neritani pranoi, po tha që nuk kishte njeri të merrte me vete. I thashë të merrte Agronin dhe Pëllumbin dhe ata u nisën.
Neritani e dirigjoi turmën ashtu siç e thotë ai më vonë në kujtimet e tij, që njerëzit e kanë parë dhe në televizor.
Rreziku kaloi dhe ndoshta vërtet ishte më i madhi para atij të dy prillit…
Kohë më vonë mora vesh se Blloku ishte zbrazur, duke e ditur këtë lloj rrëmuje. Sipas njerëzve të qeverisë së kohës, kishte të dhëna se shërbimet e huaja… kishin vendosur një variant alla Çaushesku. Ishte I thjeshtë. Duhej të mbaronte me djegien e Bllokut dhe mundësisht vrasjen e të shoqes së Diktatorit. Blloku u boshatis fiks për këtë punë, sido që të ngjante.
Në thelbin e tij, ky tregim i përjetuar nuk ka ndonjë të veçantë. Po një pyetje e habitshme më tundon edhe kësaj dite.
Ku ishte udhëheqja praktikisht ditën e 21 shkurtit?
Ku ishte Berisha, Pashko, Hajdari, etj.?
Natyrisht, frika është njerëzore dhe të kërkoje që këta njerëz të ishin në lartësira të tilla detyre, apo të analizonin se në lojë përveç popullit dhe PD-së, apo regjimit, ishin dhe lojtarë të tjerë, duhej eksperiencë e dorës së parë.
A mund të dinte njeri se çfarë realisht po ndodhte? Ishte betejë me regjimin, apo të gjithë ishin brenda një loje, shumicën e të cilës nuk e kuptonte njeri?
Kohë më vonë, siç edhe e kam shkruar te Konica.al, kam pyetur Vinçenso Palian, apo shefin e Sant Exhidios, se çfarë kishte ndodhur realisht. Ai më tha se e kishte vizituar vendin në nëntor të 1990 dhe pastaj në ditën e zgjedhjeve. Kishte marrë garancinë nga Alia se nuk do të lejonte gjakderdhjen, por kaq ishte e pamjaftueshme – tha ai. Vatikani foli për stabilitet dhe mbrojti paqen, por në lojë kishte shumë të panjohura, shumë shërbime majtas dhe djathtas, afër dhe larg.
Secili po i vinte vërdallë një kafshe që po jepte shpirt.
E shkruara e mësipërme ka vlerë ndoshta për historianët apo për gjëra që mund t’u interesojnë njerëzve të arkivave… kur ato të hapen.
Por besoj se 21 shkurti duhet të shërbejë gjithashtu për të mos krijuar mite heronjsh të rremë, apo për të mos mësuar nga historia.
A ka vlerë kjo që them? Besoj po. 4 apo 5 vjet më vonë, ngjarjet e tmerrshme të Piramidave treguan se vendi ishte po aq i pambrojtur si në ’91 dhe kasaphana u bë mbarëkombëtare.
Duke mbyllur këtë shënim, përsëri më duhet të ripyes. Ku ishte udhëheqja e PD-së në 21 shkurt të ’91-shit? Kush e drejtonte vendin realisht: regjimi, shërbimet e huaja, që ndesheshin me njëri-tjetrin për “Dominonë e fundit”; apo instinkti gjenial i popullit, që e kuptoi se po shkonin drejt katastrofës? Vetë i mëshoj kësaj të fundit…