Këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore shkodrane File Gjeloshi, e cila ndërroi jetë qershorin e këtij viti, ndonëse një zë i rrallë e cila këndoi perlat e muzikës shqiptare, nuk mori asnjëherë ndonjë titull zyrtarë nga ana e shtetit, por titullin e një artisteje të madhe ja dha gjithmonë publiku, raporton KultPlus.
E këndoi si rrallë kush këngën popullore shkodrane, e shumë e shumë perla të tjera të muzikës shqiptare. File Gjeloshi përjetësoi me zërin e saj. Ajo u bë e njohur që në moshën 15-vjeçare për publikun shkodran. Këngëtarja shkodrane shkëlqeu jo vetëm në skenat shqiptare, por edhe në dhjetëra skena të qyteteve të ndryshme të botës, por kjo nuk mjaftoi që ajo të merrte qoftë edhe një titull zyrtar nga shteti i vendit të saj, ku ajo i kushtoi shpirtin dhe zërin e saj.
Vëllai i saj Gjon Gjeloshi, ka deklaruar se, ndonëse File Gjeloshi ishte një ndër këngëtaret e para në Shkodër, ajo asnjëherë nuk u dekorua me asnjë titull nga ana e institucioneve, duke e lënë në harresë punën dhe zërin e saj të mrekullueshëm, i cili për publikun shqiptar e sidomos atë shkodran do të mbetet i pazëvendësueshëm.
Këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore shkodrane File Gjeloshi, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare pas një sëmundje të rëndë në një apartament modest në qytetin e Shkodrës më 20 qershor të këtij viti. Këngët e saj të regjistruara do të mbesin përherë kujtim për brezat e ardhshëm, duke dëshmuar një artiste me vlera të mëdha që kishte Shkodra e gjithë shqiptarët./Koha Jone/