Në lagjen e vjetër “Varosh” të qytetit të Durresit, e cila njihej vitet e pasçlirimit në ndarjet e reja administrative si lagja nr 11, kalonte çdo ditë një personazh interesant, banor i kësaj lagjeje. Ishte Gaqo Spiru. Përshëndeste të njohur, por edhe u kthente me mirësjellje përshëndetjet të panjohurve që e salutonin.
Dhe kjo kategori ishte e shumtë. Pasi shumë prej tyre nuk e dinin se ku punonte, por e vlerësonin si aktorin që ka luajtur në filmin “ Toka e Jonë” me aktoren e madhe të skenës shqipatre Marie Logorecin, ose me Loken e famëshme.
Ky rol i kësaj aktoreje ishte realisht një kryerol i sajë, suksesi i të cilës vazhdoi gjatë gjithe jetës së Marie Logorecit. Kjo pasi drama që luajti ajo, “Toka jonë” qe edhe drama që ngriti lart një plejadë aktorësh të mëdhnj shqiptarë. Një prej tyre ishte edhe roli i Metit, që luajti Gaqo Spiro.
Në atë periudhë vepra e Kolë Jakovës “Toka jonë” (1954) vlerësohej shumë. Ajo qe kthyer, sipas një studimi të Josif Papagjonit, në një vepër antologjike në traditën e dramaturgjisë shqipe të të ashtuquajturit Realizëm Socialist.
Kjo dramë dhe vetë emri i Kolë Jakovës ka shijuar sa parajsën aq dhe ferrin, sa lavdërimet pa fund aq dhe mallkimet dhe talljet pa fund, thekson Papagjoni. Në të shfaqej rilindja shpirtërore e njeriut dikur të ndëshkuar me pa të drejtë dhe të përbuzur, që përfaqësohet nëpërmjet fatit të Lokes, që përbën trungun ku lidhen gjithë nyjat e tjera të subjektit dramatik.
Sado që veprimi dhe konflikti ngërthehen fort pas rrethanës social-politike gjatë zbatimit të reformës agrare në vitin 1946, manipulimit të faktit historik si dhe antagonizmit të pushtetit të ri komunist në shpronësimin e dhunshëm të kulakëve, e vërteta e dramës dhe thelbi i saj, sipas Papagjonit, mbetet gjithëpoaq edhe çlirimi i njeriut nga mashtrimi, e keqja dhe rivendosja e të drejtës së nëpërkëmbur.
Drama të ngazëllen me unitetin dhe kohezionin e fortë kompozicional të ngjarjeve, konfliktit, me rrjedhshmërinë logjike, dendurinë e informacionit në njësinë dialogjike të saj, me situatat e skajshme dramatike, aksionin e shpejtë, tensionin. Këtë nivel loje aktoreske në këtë dramë e përballoi edhe Gaqo, përkrah figurave brilante të skenës sonë si Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Marjo Ashiku, Vangjel Heba, Roza Anagnosti etj.
Gaqo ne hapat e para të artit skenik
Miqtë e Gaqos tregojnë për të se ai krijoi personalitetin e tij në saj të karakterit të fortë, ndërgjegjes së pastër dhe përkushtimit. Për shkak të pasionit të veçantë bëhet ndër të parët aktor amator në teatrin e Durrësit, që ndodhej ne atë periudhë tek kinema “14 nëntori”. Ndërtesë që ishte njëherësh edhe kinoteatër.
Vijon studimet e larta në Fakultetin Histori-Gjeografi. Gaqo Spiru i përket plejadës së parë të aktorëve që themeluan teatrin profesionist në Durrës. Me 11 janar 1953 vihet në skenë komedia e parë “Vajza nga fshati”, ndërkohë që me themelimin e teatrit, më 8 shkurt 1964 vendoset në anën e krijuesve të trupës profesioniste.
Teatri fillimisht e më pas filmi do të krijojnë personalitetin e fortë të këtij aktori, emri i të cilit do të qëndrojë në listën e më të mirëve aktorë shqiptarë. Për shkak të pjekurisë, të ndihmesës së drejtpërdrejtë në çlirimin e vendit dhe meritave profesionale, Gaqo Spiru emërohet në vitin 1968 drejtor i teatrit “Alekssandër Moisiu”. Qëndrimi i tij në këtë post të vështirë i jep shtytje të madhe ecjes së estradës dhe teatrit. Falë mbështetjes dhe inkurajimit të tij u bë e mundur kapja e rekordit, përgatitja brenda 12-13 ditëve e shfaqjes së premierës.
Pikërisht në këtë periudhë, e cila përkon me prurjet e reja të artistëve që vinin nga Instituti i Lartë i Arteve, emri teatrit dhe estradës së Durrësit sa vjen dhe bëhet më i dëgjuar. Rreth kësaj trupe qëndronin emra të niveleve kombëtare, ndërkohë që turnetë në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi në vitin 1973 ia zgjerojnë gjeografikisht famën. Po në jetën e tijë një vënd të veçantë zinte edhe familja. Edhe pse jeta e aktorit Gaqo Spiru ka qenë e ngarkuar me punë, ai ka mundur të gjejë kohë edhe për familjen.
Djali Ivo, i cili trashëgon emrin e të atit të aktorit dhe vajzat Keti e Ilirjana kanë shijuar gjatë kënaqësinë që afron prindi teksa merr duartrokitje të pareshtuara në skenë. Sapo i krijohej mundësia më e vogël mblidhej me fëmijët dhe aty sajonte lojra e biseda të cilat jo vetëm argëtonin, por edhe edukonin fëmijët. Spiru nuk e pëlqeu kurrë pijen, ndaj nuk rrinte gjatë në lokale. Kjo i dha mundësi të shfrytëzojë kohën për t’u përgatitur, për të shkruar pjesë të ndryshme ngase veç aktorit në teatër e në kinema, tjetër prirje e tij qe edhe regjisura.
Jeta dhe lidhja me Durrësin, qytetin e tij të lindjes
Daljen në publik si aktor e nisi që në moshë fare të vogël. Fillimisht në grupet amatore të krijuara pas Çlirimit të vendit. Aty u shfaq prirja e tij për t’u bërë artist profesionist. Jeta artistike e Gaqo Spirus qëndron mes aktorit të teatrit dhe atij të filmit. Durrësi është qyteti që i dha jetë dhe lavdi emrit të tij.
Sa herë që vjen koha për të shikuar pas dhe për të matur rrugën e përshkuar të artit në Durrës që nga koha e hapave të parë të ngritjes dhe konsolidimit të trupës profesioniste, mendja dhe sytë shkojnë tek emrat më të dashur për të gjithë: Nikolin e Meropi Xhoja, Spiro e Vera Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, Vangjel Heba, ,Gjergj Vlashi, Lutfi Hoxha… Janë ata që jo vetëm e ngritën trupën profesioniste, por edhe bënë mrekulli në skenën e estradës dhe të teatrit. Miqtë më të afërt të Gaqos, sipas gazetarit Xhevo Gradica, kanë qenë Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Anastas Bojaxhiu (profesori i parë në Durrës), Marta Burda, Lazer Murati, Kadri Pirro, Todi Thanasi, Milto Profi për të vazhuar me estradën dhe me emrat e Ramazan Njalës, Spiro Stratit, Aleksandër Pepës, Enver Likmetës…
Dhjetra role të lozura prej tij në teatër. Në shumë prej tyre në role kryesore. Arkiva e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka dhjetra foto në të cilat fiksohet artisti në skenë. Dalja e parë e tij si aktor i nivelit profesionist i përket vitit 1953 “Vajza nga fshati” me rolin e Palit. Asokohe Spiru ishte 25 vjeç. Kishte kaluar provë pas prove me trupën amatore.
Njëra pas tjetrës vinë 24 role në teatër. Role nga më të larmishmet të cilat u luajtën me mjeshtëri të rrallë. Teatri arriti të jepte 5 e 6 premira në vit, ndërsa trupa e estradës po bënte revolucion në anën tjetër duke e vendosur qytetin e Durrësit në epiqendër të aktiviteteve kulturore kombëtare.
Temat ishin të larmishme. Shumë prej tyre kishin në qendër luftën për çlirim. Të tjerat edukimin qytetar, depërtimin e moralit të ri, luftën kudër paragjykimeve, emancipimi femrës, roli rinisë, jeta në fshat, ngritja e kantiereve…Për shkak të kulturës së lartë në interpretim Gaqo Spiru u zgjodh për t’u bërë pjesë e trupave ne realizimin e disa filmave.
Kështu emri tij spikat në rolet kryesore në disa prej tyre si tek “Toka jonë” me figurën e Metit; “Detyra e posaçme” me rolin e nënkolonelit; Petro motoristi në “Horizonte të hapura”; gazetari “Përse bie kjo daulle”; organizatori i grupit në burg “Njësitë guerile”; “Nusja dhe shtetrrethimi”… Pikërisht në këtë periudhë që nis në vitet 1963 dhe shtrihet për dy dekada do të ketë fatin të lozë përkrah ikonave të kinematografisë shqiptare, përkrah aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave si: Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Sandër Porsi, Ndrek Luca, Pjetër Gjoka, Ilia Shyti, Lazer Filipi, Pandi Raidhi, Dhimitër Orgocka, Robert Ndrenika, Nikolin Xhoja, Sulejman Pitarka, Vangjel Heba…Aktori nga Durrësi bëhet figurë shumë e adhuruar. Regjisorët dhe aktorët panë tek Spiru personazhin e shkrirë plotësisht dhe qetë e pastër në rol. Ky lloj mishërimi bëri që atij t’i besohen role shumë të veçanta si në rastin e Metit tek “Toka jonë”, nënkolonelit tek “Detyra e posaçme” etj. Kolegët ruajnë mbresa të jashtëzakonshme për të në ditët e xhirimeve.
Gaqo kishte aftësi të sfidonte çdo gjë: rolin e vështirë, motin e keq, pagjumësinë, lodhjen… Nuk ankohej asnjëherë. Rolin e merrte shtruar dhe me vullnet duke depërtuar shumë shpejt brenda karakterit të personazhit. Fakti se Spiru e nisi karrierën artistike në teatër, i dha mundësi të shumta për t’u përshtatur pa shumë vështirësi në rolin e aktorit të filmit. Mjeshtëria për të aktruar në skenë, shkruhet në biografinë e aktorit, qe një shans e fat më shumë për të.
Kjo e bëri emrin e tij simpatik dhe të adhuruar tek regjisorët dhe aktorët. Loja përkrah Marie Logorecit e cila tek “Toka jonë” qe Lokja, apo në krah të Ndrek Lucës, Sandër Posit tek “Detyrë e posaçme” ishte shkollë më vete për aktorin e Durrësit. Gjithnjë energjik, i saktë, i palidhur dhe emocionues, rol pas roli.
Aishe Stari kujton:
Aishe Stari Mjeshtre e madhe, në një intervistë ka thënë se Gaqo Spiru ka qenë shumë aktiv si aktor dhe qytetar. “ E njoha sapo përfundova studimet e larta në art. Trupa e Durrësit na pritën shumë mirë. Gaqo qe aktor i ngrohtë, i aftë, dashamirës. Ishim katër vajza që patën kryer Artet: unë, Filika Domo, Donika Barçi dhe Luixhina Leka. Ishim të reja dhe kishim nevojë për mbështetje, për kurajo. Tek Gaqo gjetëm aktorin e pjekur, mikun dhe shokun e mirë që na përkrahu në rrugën e skenës ”.
Gaqo, thekson Stari, bën pjesë tek trupa e aktorëve që e ka justifikuar shumë mirë rolet. Sot, duke kujtuar pjesët e lozura nga miku ynë Gaqo në teatër e në film, çmallem, ashtu si dhe me Vangjelin, Nikolinin e të tjerë. Gaqo qe për shumë kohë drejtor teatri, detyrë shumë e vështirë. Në teatër është sakrificë e madhe të drejtosh. Aktorët kanë pretendime pa fund. Me qetësi dhe urtësi i zgjidhte të gjitha. Një grup aktorësh kishim edhe hyrja-dalje familjare.
Kështu që së bashku, shkonim orë e pa orë në shtëpinë e Gaqos. Këtë miqësi e shfrytëzuam shumë për të diskutuar për skenën, estradën, teatrin, tematikat, rolet. Shkonim shumë mirë dhe kjo harmoni i dedikohet edhe Gaqos që diti të na orientojë me qartësinë e mendimeve të tij.
Vlerësimi nga piktori Koçi Risilia
Në kujtimet e veta piktori durrsak Koçi Risilia përshkruan me emocione atë pjesë të jetës së tijë artistike ku ka ndjerë ndihmen e drejt oërdrejtë të Gaqo Spirus,ne detyren e e drejtuesit kryesor të artit dhe kulturës në Durrës. Ai tregon: ” Jam ndjere shume i lumtur dhe i vleresuar kur , ndonse piktor i ri , mua me dhane nje studio pikture ku mund te ushtroja profesionin tim si piktor. Dhe kjo gje ndodhi ne vitin 1973, atehere kur shef i Seksionit te Artit e Kultures ishte z. Gaqo Spiru.
Ai vinte nga fusha e artit dhe kultures dhe i vleresonte talentet dhe te rinjte, i perkrahte dhe i nxiste piktoret ne zhvillimin e arteve figurative. Ne Galerine e Arteve Durres filloi te funksionoje rregullisht stimuli moral dhe material, vleresimi dhe blerja e vepra të artit, gjë e cila çoi ne zhvillimin e arteve figurative në Durres”.
Piktori Risilia thotë se ështe i vecante kontributi i Gaqos , ne perkrahjen e artisteve te rinj, atyre amatore dhe profesionistëve: “ Është per t’u permendur se nuk bente dallime origjine apo prejardhje , ishte novator dhe kurajoz “, thekson ai. Artisti Gaqo Spiru me punen e tij te palodhur si shef i kultures e artit ne Durres vendosi nje gur te cmuar ne themelet e qytetit Durres, duke lene mbresa e kujtime te çmuara me argumentimin bindes per probleme të ndryshme , me drejtësine dhe bujarinë , me tolerancen dhe novatorizmin e tij në art e kulture.
Lutfi Hoxha: Gaqo Spiro aktor me zë dramatik dhe diksion të rrallë
Aktori Luttfi Hoxha thekson se tek Gaqo Spiru si aktor veçon zerin e tij shumë kumbues, zë dramatik, që shoqerohej me një diksion të rrallë , diksion i vecante, dhuratë nga natyra. Tek drama “Mbrapa mureve” e Kolë Jakoves , dramë me shume interes , ai spikat shume si loje aktoriale , me zë të kumbueshëm , bariton i lakmuar , me diksion të mrekullueshem dramatik , dhe me profil tërheqes që e bënte spektatorin për vete.
Tek filmi “Detyra e posacme” , ku kam luajtur edhe unë një rrol , kujton Lutfiu, Gaqo dallon nga të tjeret me një diksion brilant , lojë e vertetë dhe bindëse. Gaqo Spiru e ndante shume bukur lojen në teater me atë në film.
Pengu im i madhe është se në teatrin “Aleksander Moisiu” nuk ka fonotekë e videotekë të repertorit të tij shumë të pasur. Por per fat të mire një elite aktoresh të teatrit të Durresit kane qenë të përzgjedhur në kinematografine shqiptare. Një nga këta ishe Gaqo Spiru si për diksionin edhe për portretin e tij ekspresiv.