Nga Teodoros Pangalos
“U rrita në një shtëpi, në të cilën origjina arvanitase u jepte të gjithëve, veçanërisht fëmijëve, një krenari kolosale. “Jemi Arvanitas”. Kjo origjinë e lavdishme, pothuajse i eklipsoi prejardhjet e tjera, njëlloj të rëndësishme për historinë e familjes, si p.sh. të një stërgjysheje nga Hios, që stolisej me dantella, me bizhu dhe me stil perëndimor të mbajtjes së flokëve, apo një stërgjyshi që u largua nga Aj-Vali i Azisë së Vogël që të shpëtonte jetën e tij dhe krijoi lidhje në të gjithë Ballkanin me lëvizjet kryengritëse të grekëve. E sa para bënte se ai, Pangallos, kishte emër me prejardhje bizantine, e ç’rëndësi kishte se ai ishte mjek para se të hynte shekulli i 19-të.
Ne, djemtë, adhuronim paraardhësit me fustanella nga malësitë e Parmithis, që u ngjiteshin majave me këmbët e tyre muskulozë, të veshur me lëkurë kafshësh dhe të armatosur me dyfekë që mbusheshin nga përpara, me barut dhe me gjithfarë lloj hanxharësh, që ua u patën rrëmbyer armiqve dhe shtypësve tradicionalë dhe të urryer, pasi i kishin therur siç theren shelegët, mbi një gur të kësaj toke, e cila për asnjë moment nuk pushoi së luftuari tiranët. Kur u rrita dhe mësova anglisht, dikush më dhuroi romanin “I fundmi i Mohikanëve”.
Ndjeva emocione të thella. Prej përshkrimeve të hollë- sishme të Kuper-it, dilte një konkluzion i padiskutueshëm: “I fundmi i Mohikanëve”, me kokën e rruar dhe me bishtalec, ishte i njëjtë me të parët e mi arvanitas. Arvanitët përbëjnë një element përbërës të popullit të sotëm grek. Me qindra mijëra njerëz qarkullojnë krah nesh, duke mbajtur me krenari dhe dinjitet emra familjarë që kanë origjinë arvanitase. Dhe ndonjëherë, pa e ditur aspak domethënien e tyre të vërtetë. Mbaj mend dikur një nëpunës të mrekullueshëm të Ministrisë së Shtypit që po bëhej gati për të shkuar në Shqipëri, për të shoqëruar Presidentin e atëhershëm të Republikës, z.Kostis Stefanipoulos, dhe nuk ia kishte idenë se mbiemri i tij me prejardhje arvanitase nënkuptonte diçka që mund t’i krijonte probleme, nëse do t’u prezantohej me atë mbiemër shqiptarëve që nuk e njihnin.
Arvanitasit e Atikës dhe të pjesës tjetër të Greqisë kontinentale, të Peloponezit, të Epirit, të Thesalisë, madje edhe të prefekturës së Evros ku janë dy fshatra, edhe të Kasos, ku është i famshmi Arvanitohori, si edhe shumë mbiemra arvanitase që i ndeshim nëpër ishuj si Kea, ku askush nuk flet gjuhën arvanitase, ishin gjithnjë element përbërës i formëzimit të Helenizmit modern. Luftëtarë të pakrahasueshëm, bujq të ashpër, blegtorë krijues dhe, me gjithë dygjuhësinë, gjithmonë prezentë, pavarësisht raportit që zinin në numrin e përgjithshëm të popullsisë, në udhëheqjen politike, ushtarake dhe shkencore të vendit. Gjuha arvanitase u fol, ashtu si edhe dialektet e tjera, derisa televizori i zuri vendin gjyshes.
Nëna e nënës sime i drejtohej së bijës gjithmonë në gjuhën arvanitase. E bija, mësuese që kishte mbaruar “Arsakeion”, i përgjigjej në greqisht, dhe kjo gjë vazhdoi një jetë të tërë, pa u krijuar as edhe një herë midis tyre, qoftë edhe problemi më i vogël. Himarjotët nuk ishin Arvanitas, nuk folën kurrë gjuhën arvanitase. Folën gjuhën shqipe, në masën që kjo gjë iu imponua atyre prej marrëdhënieve të tyre tregtare dhe shoqërore, apo prej dhunës së ashpër shtetërore. Emigrantët e sotëm nuk e kuptojnë gjuhën e arvanitasve të Atikës, ndërsa këta të fundit, në vija të përgjithshme, i kuptojnë emigrantët, ashtu sikundër në njëfarë mase brazilianët e kanë të vështirë të kuptojnë portugezët, ndërsa banorët e metropolit e kuptojnë me lehtësi gjuhën e thjeshtëzuar kreole.
Suliotët ishin arvanitas, shumë prej tyre nuk e dinin gjuhën greke ose e mësonin me ndihmën e kishës. As edhe feja nuk mund t’i shkoklavisë marrëdhëniet midis dy popujve. Në luftërat kundër Ali Pashës, për një periudhë të gjatë, para se të dezertonin, çamët, myslimanë të Thesprotisë, ishin ndër aleatët kryesorë të Suljotëve të krishterë arvanitfolës. Kur shpërtheu Revolucioni Grek, e gjithë Atika, si dhe një pjesë e madhe e Korinthisë, e Argolidës, e Beotisë, e Ftiotidhës dhe e Eubesë, banoheshin prej arvanitasve. Të vetmit që nuk flisnin gjuhën arvanitase në Atikë ishin banorët e Megaras. Këta banorë që flisnin një gjuhë tjetër çliruan Athinën.
Përbënin boshtin kryesor të forcave të armatosura të Karaiskaqit, që edhe vetë fliste gjuhën arvanitase. Por edhe Kollokotroni, në një pjesë të madhe të Peloponezit njihej me emrin arvanitas të familjes së tij, domethënë Bythguri. Vetëm nëse do të ishim ndjekës striktë të variantit të së folurës “katharevusa– të pastër”, lulet që do t’i ofronim së dashurës do t’i quanim “anthi” dhe jo “luludhia”, prej fjalës arvanitase “lule”. Dhe të dielave në shtëpi do të hanim një kofshë prej mishi “kaciti”, prej fjalës arvanitase “kec”, që nënkupton diçka kryeneçe, të panënshtruar (vetëm nëse do të ishim ithtarë të flaktë të grekëve të lashtë apo kretas, do të preferonim mish dhie apo mish qengji).