Nga Anri Bala
As që më bëjnë fare përshtypje ato që tha Saimir Tahiri, por vetëm sa më vuri në një gjendje hipnoze, duke mos e kuptuar as vetë se ku jetoj. Ndërsa Tahiri fliste dhe mbrohej, që të themi të vërtetën ishte në të drejtën e tij, njerëzit që ai akuzonte, ishin duke bredhur e qeshur, gëzuar e harlisur me paratë e këtij populli. Pak më tutje, në një media tjetër, fliste ai, i akuzuari, që hëngri kulaçin me kumbulla të kuqe, si shpërblim për kërbaçin e një viti më parë.
Kërbaç i gjakosur dhe aq i rëndë, jo vetëm për viktimat, por për demokracinë, për ëndrrën e çdo kombi… lirinë. Por ai nderohet e respektohet dhe bënë dasëm pas “mortit” të demokracisë, ndërsa ai tjetri vazhdon e vallëzon, edhe kur fshati digjet e ai… krifet, e kur nikoqirja e mortit, shëtit lartë e poshtë deri në Kinën e largët, me paratë e mjerimit dhe të varfërisë së mijëra njerëzve dhe flet u jep leksione kinezëve për turizmin 4 stinët, në Gjirin e tyre… Lalëzin.
Ruajm o Zot, të mos shkalloj… sepse më trondit guximi i kësaj gruaje, dikur “buxhak sot konak”, duke mos bërë asgjë, përveçse darka dhe darka, dreka dhe dreka, festa e shëtitje pa fund, herë si gjynafqare e ve, e herë si dashnorja e burrit të saj e maskuar, e herë si Monika Sihanuk, kur princin e kishin rrëzuar nga froni.
Heshtje e madhe e shtetit, ligjit, për qytetarin që grabitet, a thua se e ka për detyrë të grabitet… legjitimon “mbretëreshën” e rrëzuar, që “thesarin” e saj ta përdor si të doj në kohën e “zënë”, kur qytetarët dëgjojnë e durojnë deri në plasje, zagarët që kacafyten dhe që sajojnë gjithfarë menyrash të na bindin, se ish kundërshtari i tyre më i egër, ish ministri më i ri e më me pak mëkate i këtij vendi… është e keqja e Shqipërisë!
Natyrisht, njeri më të sigurt se kryetari i “dasmës mortore” nuk mund të gjendet, sepse askush nuk pipëtinë kur ai i fërshkëllen dhe e jargavit me jargën e tij në surrat, sa herë do dhe ashtu siç do dhe di ai.
Askush nuk flet, nuk pyet, se përse u hëngër kulaç me 15 në “kullën e ngujimit”, kur 16 janari… ishte nesër?! Kush e hëngri kulaçin nga ato të katër dhe i pesti paralel, për të shpëtuar atë të “pafajshmin e bllokut”?!
Si mundet të dal i pastër ky njeri, që “luftoi” për drejtësi… por e fitoi vetëm falë parzmores dhe kokores të bërë dhuratë nga babai e nëna…?!
Takimi i mbrëmjes së “kulaçit rosto”, ishte një presion ndaj pushtetit gjyqësor dhe ja arriti qëllimit me injorimin e ekspertizës së FBI-së, me ekspertizën e xhambazo-specialistëve tanë, që i faturuan xhepave të shqiptarëve, veç 7% të famshëm të videos edhe 30 milion lekë të tjera për ekspertizën, të paguara nga secili prej nesh që u treguam mosbesues, se sa i frikshëm ishte pushteti i tyre.
Banda e kulaçit na tregoi, se nuk kanë vetëm imunitet, por edhe “impunitet”! Kanë fuqi për t’i thënë sistemit të drejtësisë stop, se kanë emrin pushtet… në këtë rast, grupi kulaç-kërbaçi. Dasma funksionon e nuk ndalon, sepse sistemi nuk funksionon. Akoma kjo klikë njerëzish, mund të tallë e fyej këdo, e pse jo edhe ta dënoi, kur askush nuk i dënon ata… të zotët e “dasmës mortore” të këtij vendi.
Ndërsa djaloshi i ri, që shkatërroi ngrehinën kriminale të tyre, që kurrë nuk do të kalohet aq lehtë si “vendim politik”, përpëlitet dhe kot lodhet, sepse ne jemi…
Nuk e di, pse këta më kujtojnë vallet e nekrofilëve nëpër varreza, me partnerë skelete, kur kanë kaq kohë që festojnë, hedhin valle e gëzojnë dhe askush si ndalon. Edhe ne vetë, siç duket kemi harruar… se jemi të gjallë./Ekskluzive.al