Garda e Republikës ka paditur ish-drejtuesin Ndrea Prendi dhe efektivin Agim Llupo duke kërkuar që ata të paguajnë faturën e dëmshpërblimit për 4 viktimat e 21 Janarit.
Burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije se, përmes një padie civile, Garda kërkon nga Gjykata e Tiranës që ish-komandanti Ndrea Prendi dhe ish-shefi i njësisë speciale Agim Llupo të dëmshpërblejnë familjet e 4 viktimave si dhe të mbulojnë shpenzimet gjyqësore që kapin vlerën e 2.1 milionë Eurove.
Seanca e parë do të zhvillohet ndaj ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi më datë 6 Nëntor në orën 14.00.
Ende nuk është caktuar seanca në ngarkim të Agim Llupos që mbante postin e shefit të njësisë speciale në gardën e Republikës në kohën kur ndodhën vrasjet. Dy ish-zyrtarët e Gardës u shpallën fajtor për “Vrasje me dashje nga pakujdesia”, duke dënuar me 1 vit burg Ndrea Prendin dhe 3 vite Agim Llupon.
Në Dhjetor të 2017 qeveria Rama miratoi një vendim për dëmshpërblimin e katër familjeve të viktimave, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Këta të fundit mbetën të vrarë gjatë protestave të opozitës në 21 Janar të 2011.