Në Greqi vrasja e Kostancinos Kacifas në Bularat ka shkaktuar reagime nacionaliste dhe urrejtje të pa hasur më parë ndaj Shqiptarëve. Partitë e opozitës dhe sidomos deputetë me prirje radikale kanë bërë deklarata ekstreme që nisin nga “bombardimi i Shqipërisë me avionë”, “aneksimi i Jugut të Shqipërisë në autoritetin e Greqisë” dhe deri te “kthimi i gjithë emigrantëve” dhe “largimi i ambasadores shqiptare”.
Janë të gjitha qëndrime ekstreme dhe raciste që kanë gjetur hapësirë në opinionin grek gjatë ditëve të fundit. Mediat e vendit fqinj duket se kanë ndikuar dhe në shtimin e urrejtjes ndaj shqiptarëve për shkak të raportimeve të rreme që paraqesin një situatë krejt tjetër. Në disa prej televizioneve dhe portaleve më të ndjekura ka ende lajme të rremë që thonë se: “Kacifas u hoq zvarrë nga policia shqiptare dhe u ekzekutua në mënyrë gjakftohtë”. Të tjera media vazhdojnë ende t’i mëshojnë idesë së “heroi Kacifas u vra teksa po ngrinte flamurin grek”. Këto raportime amatore kanë bërë që shumica e grekëve të mos kenë asnjë ide se çfarë ka ndodhur realisht më 28 tetor në Bularat. Ndërkohë që nga faktet që kanë dalë deri më tani nuk flitet as për flamur dhe as për vrasje të qëllimshme nga policia.
Por mes reagime nacionalistë që flasin për të “vrarë qentë shqiptarë” ka dhe politikanë të përgjegjshëm që kanë bërë thirrje për maturi të mediave dhe qytetarëve grekë. Sot Dimitrios Papadimoulis, Zv. Presidenti i Parlamentit Europian dhe deputet i partisë së kryeministrit Aleksis Cipras kërkoi nga grekët të jenë më të përmbajtur.
Në një intervistë për median greke “Real FM Radio”ai thotë se “Kacifas ishte një ekstremist, mos e bëni hero”. Nënkryetari i Parlamentit Europian shtoi se “natyrisht ky njeri Kacifas kishte mendime ekstreme, me sa duket ai kishte një Kalashnikov dhe qëlloi”.
Papadimoulis deklaroi se në Tiranë dhe Athinë të gjithë janë kundër konflikteve. “Gjithkush në Athinë ose në Tiranë është kundër dhunës, por edhe kundër luftës së armatosur, si një metodë për arritjen e qëllimeve politike, nuk duhet ta heroizojmë Kostandinos Katsifa”,- deklaroi politikani i njohur grek.
Në qëndrimin e tij politikani grek kritikon deklarata e Edi Ramës pas vrasjes ishin të papërshtashme, por Greqia si vend kryeso në Ballkan duhet të jetë e matur.
“Të gjithë e dimë se Greqia, si anëtari më i vjetër, më i fuqishëm dhe më i pasur i familjes evropiane në Ballkan, duhet të përballojë incidente të tilla të rënda me kujdesin dhe seriozitetin e duhur. Duhet të ndalojmë që njerëzit të bëjnë kumar politik me këtë çështje, nga të dy anët e kufirit, politikanë apo gazetarë qofshin dhe të sigurojmë sqarimin e plotë të rrethanave të cilat vdiq Katsifas”, – tha Papadimoulis.
Deklarata e Papadimoulis është pritur në mënyrë negative nga një pjesë e mediave greke. Papadimoulis është politikani i dytë i rëndësishëm grek që flet me një gjuhë të moderuar dhe bën thirrje për të mos heroizuar një ekstremist si Kacifa i cili qëlloi me armë policinë shqiptare.
Një ditë më parë në Greqi shkaktoi reagime deklarata e Theodoros Pangallo i cili deklaroi se në çdo vend të botës “kush qëllon policinë qëllohet”.