Presidenti Ilir Meta i ka shpallur dje luftë të hapur qeverisë. Pas bllokimit të dekretit për kreun e SHISH, dje kreu i shtetit vendosi të bllokojë negociatat e qeverisë me Greqinë për ndarjen e kufirit detar. Teksa të gjithë prisnin që Meta të lejonte zgjidhjen e këtij problemi 27-vjeçar, dje Meta i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ku e ka informuar se nuk mund t’i japë autorizim për diskutimin e paktit me Greqinë, me argumentin se ka mungesë informacioni në kërkesën drejtuar Presidentit.
Por lëvizja e Metë pritej deri diku, kjo për faktin se para këtij vendimi ai pati diskutime me një sërë personazhesh që janë shprehur hapur kundër paktit të ri me Greqinë, bëhet fjalë për Bujar Nishanin, Tritan Shehun dhe Sali Berishën. Por nëse analizojmë situatën, Metës nuk i intereson një gjë e tillë. Së pari ai zotëron imazh pozitiv në Greqi dhe është i pari i dekoruar me “Kryqin e Artë” grek.
Nga ana tjetër e di se Rama nuk dëmtohet nga kjo gjë. Por i vetmi që përfiton është Berisha. Nëse ka marrëveshje të re, marrëveshja e Berishës del e pavlerë. Kjo do të thotë se Meta po teton të ruajë nderin e ish-kryeministrit, i cili po lufton fort që pakti të mos arrihet. Por kjo lëvizje e tij mund të ketë dhe lidhje me negociatat, pasi Greqia mund të mos japë mbështetje dhe Meta tregon qartë se është krah opozitës.
Argumentet e Presidentit
Në letrën që Meta i ka dërguar Ditmir Bushatit, ka evidentuar 3 çështje, që sipas tij duhet të rishikohen. Së pari Meta pretendon se në kërkesë nuk përcaktohet qartë objekti i negociatave. “Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.
Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4 – fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur. Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek”, ka thënë presidenti. Më tej Meta ka kërkuar që t’i paraqiten harta dhe të dhëna konkrete se çfarë fiks do të bisedojnë të dyja palët.
Një tjetër çështje është ajo e mungesës së negociatorëve. Meta në shkresën e tij ka deklaruar se është e drejta e tij të bëjë vlerësimin e negociatorëve dhe atij duhet t’i shkojë një listë me emra. “Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata.
Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje”, thuhet më tej.
Detajet e ndarjes së detit
Pika e tretë ku presidenti është i paqartë, është ajo e ndarjes fizike të detit. Në shkresë ai ka deklaruar se nuk shpjegohet se si do të bëhet ndarja sipas metodës së barazlargësisë. “Lidhur me sa më sipër, bazuar dhe në pikat 82.1, 82.2, 82.3, 82.4, 86, 90, 92, 95, 96 dhe 98 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve. Përmbushja e kësaj detyre do të qartësonte objektivat, metodologjinë dhe parimet që do të përdorte grupi negociator”, thuhet më tej./SOT