Mazhoranca qeverisëse ka kaluar ditën e djeshme shumicë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.Kuvendi i Shqipërisë në seancën e djeshme plenare ka miratuar dy propozimet e PS për dy anëtarët e rinj të KQZ. Bëhet fjalë për zonjën Rezarta Bitri dhe zotin Bledar Skënderi, të cilët u votuan me 74 vota pro secili. Pas votimit, të dy anëtarët e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve bënë betimin para deputetëve, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në seancë.Kështu mazhoranca merr shumicën në KQZ, teksa bëhet me katër. Konkretisht: Bledar Skënderi, Rezarta Bitri, Edlira Jorgaqi dhe Denar Biba. Ndërsa në krahun e opozitës situata duket më e ndërlikuar, pasi ka vetëm një, nga tre anëtarë që i takojnë.
Sipas Kodit Zgjedhor, dy i propozon partia e parë parlamentare e opozitës dhe një partia e dytë parlamentare e opozitës. Kështu që opozita duhet të paraqesë dy propozimet e saj. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Gjithashtu, seanca plenare miratoi me 74 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Republika e Shqipërisë)- Skje (Mali i Zi) për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”. Në fund të seancës, u miratua me 74 vota pro kalendari 3 javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 5- 23 nëntor 2018 dhe kalendari i veçantë i projektbuxhetit të vitit 2019 dhe i projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 12:30.
Balla i përgjigjet Bashës
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi ditën e djeshme nga foltorja e Kuvendit, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me vakancat në Komisionin Qendro të Zgjedhjeve. Në përgjigje të akuzës së Bashës se mazhoranca po rrëmben një kandidaturë të PD, Balla vuri në dukje faktin se opozitës i takojnë dy përfaqësues, jo një. Ndaj edhe i ftoi të paraqesin kandidaturat. “Kërkova fjalën për të sqaruar sadopak kryetarin e opozitës Lulzim Basha, i cili u shpreh se nga dy kandidaturat që ne votojmë, njëra i takon PD.
Lulzim të takojnë dy kandidatura, jo një. Nga katër vakanca të krijuara në KQZ, dy në mënyrë të barabartë i takojnë mazhorancës dhe dy opozitës, jo një. Përfitoj nga rasti dhe sot që t’i rikërkojmë PD, opozitës të sjellë dy kandidaturat, jo një. Nuk ta kanë shpjeguar mirë Lulzim të tutë, nga katër ke gjysmat. Sa i përket partisë që ka numrin më të madh të mandateve në shumicë, jemi vetëm PS. Të dy vendet që i takonin shumicës parlamentare së legjislaturës së vitit 2009-2013 tashmë i takojnë shumicës parlamentare të legjislaturës 2017-2021. Dy ish-anëtarët e KQZ, Vera Shtjefni dhe anëtari tjetër kanë qenë propozime të PD. Automatikisht dy propozimet e reja i takojnë partisë që ka shumicën parlamentare sot, Partia Socialiste”, deklaroi kreu i grupit të PS, Taulant Balla.
Rigels Seliman