Një gjykatë në Shkup, me kërkesë të Prokurorisë së posaçme ka urdhëruar ngrirjen e pasurisë së partisë opozitare VMRO-DPMNE. Prokuroria ka njoftuar se bëhet fjalë për 69 objekte, ndër to edhe selia e partisë në Shkup. Me këtë, masë, ndalohet shitja, ose dhënia me qira e këtyre objekteve. Prokuroria ka vepruar kështu, për shkak të një rasti që po procedohet në gjykatë dhe për shkak të mundësisë së tjetërsimit të pasurisë nga partia, para përfundimit të gjyqit.
VMRO-DPMNE-ja vlerësohet si partia më e pasur në Evropë dhe pronat e saj arrijnë vlerën e 60 milionë eurove, sipas hulumtimeve të organizatës SCOOP-Macedonia.
Partia e ka quajtur këtë vendim të gjykatës si absurd, ndërsa ka akuzuar gjykatën si “dorë e shtrirë e kryeministrit Zoran Zaev”.
Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-së, Igor Janushev u tha të enjten gazetërave se “pushteti përmes instalimeve të tij në gjyqësor po niset në betejë kundër secilit që nuk është i gatshëm të bëjë pazar me Maqedoninë”.
VMRO-ja thotë se pushteti po synon të pengojë funksionimin normal të saj. Por, Lidhja Social Demokrate, partia e kryeministrit Zaev i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Prokuroria e Posaçme është një institucion i pavarur.
Prokuroria e Posaçme ka dyshime për dhjetra pjesëtarë në pozita të larta të partisë më të madhe opozitare, për shkak se gjatë ndërtimit të selisë në qendër të Shkupit kishin bërë marrëveshje me një kompani që i bënte favore VMRO-DPMNE-së.
“Pallati i bardhë”, siç njihet selia e opozitës në qendër të Shkupit, vlerësohet nga 7 deri në 15 milionë euro. VMRO-ja ka paralajmëruar se do të ankohet në instanca më të larta, ndërkohë që ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë e konfiskimit të pasurisë së kësaj partie.
VMRO-DPME-ja po kalon përmes një situate të vështirë këto ditë, ndërsa ish-funksionarë të lartë dhe deputetë të saj po ia kthejnë shpinën drejtuesit Hristijan Mickovski, që ka larguar nga partia disa eksponentë të njohur, duke lënë përshtypjen në opinionin pubik për një përçarje serioze brenda partisë./VOA