Mungesa e dekretimit të Sandër Lleshit në postin e Ministrit të ri të Brendshëm nga Presidenti i Republikës, ka ngritur disa pikëpyetje mbi arsyet edhe pse Ilir Meta është brenda afatit të përcaktuar nga ligji, 7 ditë. I ftuar në studion e emisionit ’45 Minuta’, deputeti i PS, Alket Hyseni u shpreh se roli i Presidentit është honoforik.
“Gjeneral Lleshi është një personalitet, që ka punuar pranë kryeministrit. Kam besim që kandidati për ministër i ka të gjitha cilësitë e nevojshme për një ministër dhe jam i bindur që do të kryejë atë detyrë. Presidenti ka 7 ditë afat. Në krye të 7 ditëve është i detyruar të shprehet për dekretin. Brenda këtyre ditëve mund të bëjë verifikimet e nevojshme për kriteret formale.
Presidenti shqyrton dekretin nga pikëpamja honorifike. Nuk shikoj asnjë ngërç. Besoj që Meta do të sjellë dekretin ditën e shtunë në parlament. Besoj që Presidenti në përmbushje të afatit do e dekretojë emërimin e ministrit të ri dhe parlamenti në seancën e radhës do të emërojë ministrin e ri. Nëse nuk dekretohet? Ministri në detyrë Xhafaj do të vazhdojë. Por nuk mendoj se këshilltarët e presidentët do të çmenden, nuk mendoj se do i lerë presidenti që të çmenden. Nuk mendoj se Presidenti do të shkelte Kushtetutën. Po nëse do ta shkelte? Pasojat janë në Kushtetutë. Jam i bindur se Presidenti nuk do ta çojë veten të shkelë Kushtetutën”, shprehet Hyseni.
Deputeti i PS kishte një mesazh për Presidentin edhe për dekretin e kreut të SHISH që ende është pa përgjigje.
“Presidenti duhet të jepte arsyet. Por me shërbimin informativ nuk mund të bëhet kapriço”, apeloi socialisti.
E ndërsa pritet që Presidenti të dekretojë datën e zgjedhjeve lokale të 2019 dhe partitë të ndezin zyrtarisht motorët për fushatën, Hyseni u shpreh se në Tiranë nëse do të votohej sot, Erion Veliaj do të merrte 63% të votave. Sipas tij, kryebashkiaku aktual është kandidati më i mirë, prandaj duhet të kandidojë patjetër për një mandat të dytë.