Klivja Çaçi është 25-vjeçarja shqiptare e cila humbi jetën tragjikisht në një aksident të rëndë orët e para të mëngjesit Livonia, Westland, SHBA.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:30 të mëngjesit kur e reja po udhëtonte me makinën e saj tip Chevrolet dhe në përpjekje për të dalë në anën tjetër të rrugës, humbi kontrollin e automjetit dhe përfundoi duke u rrokullisur disa herë në autostradë.
Ajo u shpall e vdekur në vendin e ngjarjes dhe sipas informacioneve të para nuk mendohet se ka qenë nën efektin e drogërave apo alkoolit. Vajza nga Korça, prej disa vitesh jetonte në Amerikë e vetme, në kërkim të një jete më të mirë.
Sipas dëshmive që kanë mbërritur, në lidhje me ngjarjen, 25-vjeçarja ishte shpallur fituese në Lotarinë Amerikane dy vite më parë dhe familja kishte marrë hua për ta dërguar me studime jashtë. Trupi i pajetë i 25-vjeçares ndodhet ende në Amerikë, teksa një solidarizim online po i vjen në ndihmë familjes për ta sjellë Klivjan në atdhe. Shumë shqiptarë që jetojnë në kontinentin e largët dhe jo vetëm, kanë nisur të ndihmojnë me shuma të ndryshme, por duhen ende shumë të tjera që trupi i saj të rikthehet pranë familjes.