Ndërkombëtarët, duhet të kërkojnë, hapjen urgjent të dosjes 443 HEC-eve, të dhëna në 12 vitet e fundit, mbasi është një “gropë e zezë” krimi ekonomik-financiar e mjedisor, me pasuri kombëtare vjedhura nga politikanët, krim që po vazhdon, mbasi këta kanë nisur të kapin tregun monopol, të prodhim-shit-blerjes të energjisë elektrike
Kur ishte aktore, ish-deputeten Rajmonda Bulku e pëlqenim, se i luante shumë bukur rolet, por edhe kur u bë deputete, dëgjonim dhe besonim verbërisht, çdo fjalë e fjalim të saj, për drejtësi e barazi sociale, kundër nepotizmit në parti, qeveri e pushtet për luftën kundër korrupsionit dhe privilegjeve e përfitimeve të padrejta, të politikanëve.
Por nuk e dinim, se edhe Rajmonda Bulku, ishte futur në politikë, për të bërë politikat e përfimeve të saj, e jo për të luftuar korrupsionin, apo për t’u dhënë zgjidhje, halleve të banorëve që u kërkoi dhe u mori votën si deputete.
Aktorja Bulku, ka ditur ta luajë bukur edhe “rolin” e përfitimeve personale kur ishte deputete, gjë që vërtetohet, nga dosjet e pazareve, të bëra gjatë ish-pushtetit “Berisha”, ku flitet për leje ndërtimi e shfrytëzimi HEC-esh.
Ashtu si 83 deputetë të tjerë, koncesione për HEC-e ka marrë edhe ish-deputetja Bulku, paçka se kryeministrit të koncesioneve e PPP-ve dhe ministrave “rilindës”, të zhytur në korrupsion, u kujtonte afrimin e kohës së ndëshkimit ligjor, me goditjen e lavjerësit të orës: “Tik –tak, tik-tak”!
Sipas Kontratës Nr. 226 Rep., Nr. 116 Kol., datë 16 qershor 2009, të firmosur nga “kunati”, i ish-ministri Genc Ruli, ish-deputetja ”Tik-tak” Rajmonda Bulku, ka marrë pa asnjë qindarkë (falas), koncesionet për ndërtimin e 2 HEC-ve mbi lumin Bënçë në Tepelenë, me emrat tregtarë “HEC-BENÇA” dhe “HEC-TEPELENA”.
Objekti i këtyre koncesioneve është ndërtimi, prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike, për llogari të vet, për një periudhë 35 vjeçare, nga të cilët, “HEC-BENÇA” është me fuqi 1735 Kw e prodhim vjetor 9 milionë e 850 mijë Kwh, ndërsa “HEC-TEPELENA” është me fuqi 3670 Kw e prodhim vjetor, 20 milionë e 490 mijë Kwh dhe të dy bashkë, janë me fuqi totale 5405 Kw e prodhim 30 milionë e 340 mijë Kwh.
Përfituesi koncesionar, sipas kontratës, duhet të krijonte një shoqëri, me vetëm 1 (një) aksioner (pronar), ndërkohë që ministri Genc Ruli, i ka dhënë të drejtën, të zaptojë sa territor (sipërfaqe) të dojë, në luginën dhe zonën e Lumit Bençë të Tepelenës.
Sipas kontratës, që ka firmsour “kunat” Genc Ruli, në kundërshtim me ligjin mbi koncesionet, nuk ka publikuar identitetet e koncesionit përfitues, duke i maskuaur pas logos së 2 firmave “Ferrar shpk” e “Alfa Projekt-2006-shpk”, të cilat rezultojnë, se janë biznese të Fatos Josif Pashkos, kunat i Genc Rulit dhe bashkëshort i ish-deputetes Bulku.
Kujtojmë, që kundër këtyre 2 HEC-eve, është ngritur në protestë gjithë fshati dhe krejt zona e Tepelenës, të cilët kanë bllokuar disa herë punimet, mbasi u shkatërrohet burimi ujor për vaditje dhe krejt habitati natyror kullosor, pa llogaritur humbjen e të drejtës, së administrimit të shumë hapësirave, të cilat “pushtohen” nga këto 2 HEC-e, numri i të cilëve nuk është vetëm 2, mbasi po ndërthen edhe të tjerë, në rrjedhën e Bënçës dhe mini-lumenjtë e maleve të Progonatit.
Koncesionin e këtyre 2 HEC-ve e ka denonuar publikisht në parlament e në media edhe deputetja socialiste Ermonela Felaj, por përfundoi në gjykatë me padi penale, nga bashkëshorti i deputetes Bulku, brenda sallës së të cilës, ajo pranoi faljen e ofruar nga “Pashkot”, duke tërhequr akuzën, gjë të cilën e provon dhe Vendimi Nr. 4, datë 04.07.2011, Nr 4, i Regj.Themeltar, Gjykata e Lartë./Pamfleti