Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, mund të dënohet me katër deri në gjashtë vite burg nga Gjykata Kriminale e Spanjës për shkak se akuzohet për mashtrim gjatë transferimit të tij në Barcelonë në vitin 2013 nga Santosi.
Vitin e kaluar kishte filluar procesi gjyqësor në Spanjë për të hetuar nëse transferimi i tij nga klubi i fëmijërisë në Santos ishte i rregullt apo jo. Ky transferim kishte ndodhur në vitin 2013 pas katër viteve në Santos si lojtar i ri, transmeton Gazeta Express.
Mirëpo, tani procesi gjyqësor ka kaluar nga Gjykata Kombëtare në Gjykatën Kriminale. Ky fakt është shqetësues për brazilianin pasi që do të thotë se dënimi për të mundë të jetë nga katër deri në gjashtë vjet burg nëse shpallet fajtor.
Barcelona fillimisht pretendonte se kishte paguar 17.1 milionë euro për kapitenin e Brazilit, megjithatë një ankesë e një anëtarit të klubit e hapi procesin gjyqësor për këtë transferim. Ky proces gjyqësor zbuloi se klubi kishte paguar rreth 40 milionë euro në paga, duke e arritur kështu një marrëveshje jashtë Gjykatës.
Megjithatë, presidenti aktual i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka zbuluar se katalonasit kishin paguar 86.2 milionë euro për të. Kjo deklaratë bëri që kompania braziliane DIS të pretendonte se Barcelona e kishte blerë Neymarin me 40% zbritje, shumë kjo që kompania thotë se ende nuk e ka marrë të gjithën.
Gjykata e Lartë e Spanjës kërkon që Bartomeu të mbajë përgjegjësi menaxheriale së bashku me ish-presidentin e klubit, Rosell, edhe pse atëherë kishte qenë vetëm zëvendës-president.
Zyra e prokurorit ka thënë se marrëveshja mes Barcelonës dhe kompanisë braziliane ia kishte mohuar mundësinë klubeve të tjera që ta blejnë Neymarin, dhe kjo është në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë të futbollistëve. Për më tepër, ata pretendojnë se ekziston mundësia që është kryer ndonjë krim ose është bërë korrupsion nga individët. /