Familja Kaçifas është shprehur e revoltuar me Policinë Greke dhe kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime ligjore për nxjerrjen e lajmit që Kostandino Kaçifas ka qenë i arrestuar në vitin 2009 në Greqi pasi u kap me rreth gjysmë kile kanabis.
Përmes avokatit të tyre, familja e minoritarit kërkon të gjejë përgjegjësin për rrjedhjen e këtij informacioni.
Sipas një deklarate nga avokati i familjes Kaçifas, 35-vjeçari i arrestuar 10 vite më parë si pjesë e një bande droge, ishte i pafajshëm pasi u lirua nga akuzat në atë kohë, dhe për këtë arsye lajmi nuk kishte arsye përse të publikohej.
Avokati thotë se dalja e këtij informacioni është fyerje e kujtimit të të ndjerit, madje shton se “i hedh benzinë zjarrit të propagandës shqiptare që tenton ta identifikojë viktimën si ekstremist grek të Agimit të Artë”, shkruan Protothema.
Për këtë lajm të publikuar në mediat greke që tregon të shkuarën e Kostandino Kaçifas, familja do të dërgojë një mocion në Policinë Greke për të kërkuar shpjegime nga doli ky informacion, si dhe do të ndërmarrin veprime ligjore. Sipas familjes Kaçifas, publikimi i këtij lajmi ndikon negativisht jo vetëm në kujtimin e të ndjerit, por edhe në minoritetin grek në Shqipëri.