Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka thirrur ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Surani për ngjarjen e ndodhur në Bularat, Gjirokastër. Sipas njoftimit, ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë. Ministria e Jashtme deklaron se ambasadores i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. ‘Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë’.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsëriti thirrjen për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke. Ndërkohë që kujtojmë që dje është thirrur ambasadorja shqiptare në Athinë në ministrinë e Jashtme të Greqisë, së cilës iu kërkuan sqarime për vrasjen e minoritarit në Gjirokastër. Vrasja e Konstantinos Kaçifa ka sjellë tension në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, dy ditë më parë, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protestë ditën e ngjarjes. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare. Ndërkohë që edhe në videon e publikuar nga Report Tv duket mjaft qartë që autori nuk mban flamuj në dorë, të cilët valëviten normalisht, por një automatik të modifikuar dhe qëllon drejt policisë.