Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i ka cilësuar kërkesat e partive opozitare shqiptare për përfshirjen e gjuhës shqipe në kushtetutë si kushte shtesë që pengojnë integrimin në BE dhe NATO.
“I kuptoj nevojat e njerëzve për të hapur debate, për të dhënë propozime e, por në fund askush nuk ka të drejtë të kushtëzojë integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Sigurisht që nuk do të lejojmë zgjerimin e Kutisë së Pandorës këtë e dinë të gjithë”, tha Zaev.
I pyetur nëse “Marrëveshja e Ohrit” duhet të përfshihet në Preambulën e Kushtetutës , Zaev theksoi se një gjë e tillë është bërë në vitin 2001:
“Marrëveshja e Ohrit është pjesë e Kushtetutës, ajo pjesë ishte e përfshirë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Dua të theksoj se bashkëpunimi në proces është i rëndësishëm, por nuk duhet të minojmë procesin në një kohë që duhet të ndërmarrim hapa të guximshëm.”
Kryeministri njoftoi se qeveria do të miratojë deri në fund të javës draft-amendamentet, të cilat do të hartohen së bashku me deputetët e larguar nga VMRO-DPMNE. Ndërsa deri në muajin janar, ai shpreson që procesi për ndryshimet kushtetuese të ketë përfunduar.
Nga ana tjetër, sa i përket dekretimit të ndryshimeve kushtetuese, mediat e vendit fqinj shkruajnë se presidenti Gjorge Ivanov, është nën hetim nën akuzat për mosdekretim të Ligjit për Gjuhet dhe të Marrëveshjes se Prespës.