Mbrëmjen e sotme në Athinë është zhvilluar një tjetër protestë për rastin e vrasjes së minoritarit Kacifa në Bularat të Gjirokastrës. Tubimi është zhvilluar para parlamentit, ndërsa protestuesit kanë shpalosur një pankartë ‘Kacifas i pavdekshëm’ më pas kanë djegur flamurin kuqezi dhe kanë lëshuar thirrje anti shqiptare. Kjo është protesta e dytë që zhvillohet në Athinë, pasi dy ditë më parë, menjëherë pas vrasjes ekstremistët e Agimit të Artë protestuan para ambasadës shqiptare.
Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, dy ditë më parë, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protestë ditën e ngjarjes. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare.
Ndërkohë që edhe në videon e publikuar nga Report Tv duket mjaft qartë që autori nuk mban flamuj në dorë, të cilët valëviten normalisht, por një automatik të modifikuar dhe qëllon drejt policisë.