Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjen e Bularatit ku mbeti i vrarë minoritari grek Kostandinos Kacifa. Sipas Metës kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke.
Gjithashtu Presidenti ka dënuar vendosjen e banderolës së tifozve të Partizanit ditën e djeshme në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”, “1 grek më pak, 1 bastard më pak”.
NJOFTIMI I PRESIDENCËS:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie.
Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.
Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur dje në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme.
Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke patur kombësinë greke. Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një këmbanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë.
Sali Berisha dhe Vangjel Dule ishin ndër zërat që kritikuan ndërhyrjen e RENEA-s, që çoi në humbjen e jetës së shtetasit grek.