Kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për rezulate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka tronditur themelet e politikës shqiptare. Tinëzisht secili po përpiqet të shpëtojë “kokën” nga “sopata” që po iu kanoset. Kulisa, pakte tinëzare, gjithçka po luhet nën rrogoz.
Largimi i ish ministrit Fatmir Xhafaj nga Ministria e Brendshme ka lëkundur sërish balancat. Dyshja Meta- Kryemadhi, që deri më dje ishin një suport opozitar ndaj “Xhafajt” kanë “kyçur” gojën pas këtij akti të Edi Ramës.
Edhe pse një forcë e spektrit të majtë, LSI që prej nisjes së aktivitetit të saj, ka pasur një flirt më të gjatë politik me Partinë Demokratike krahasuar me atë Socialiste. Konkretisht, e gjithë pranuar tashme kjo marrëdhënie mund të quhet më saktë Berisha-Meta se sa PD-LSI.
Megjithatë diçka po ndodh edhe mes kësaj dyshje që ka shtyrë ditët mes “dashurisë edhe urrejtjes”. Është malësori i Skraparit, i cili i dërgon një mesazh të qartë malësorit të Tropojës. Duke shfrytëzuar ngjarjen dhe retorikën pas vrasjes së shtetasit ngrek gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat shqiptare RENEA, Meta i bën të qartë Sali Berishës: “ ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive”, thotë Meta në deklaratën e tij.
Përsë pikërisht ky specifikim që përkon me vetë Sali Berishën, i cili sërish shpërfaqi fytyrën e tij “kriminale”, duke u rreshtuar krah histerizmit nacionalist grek?!
A po tronditen aleancat “e vjetra” për t’ju hapur rrugë “të rejave”?! Çdo lloj karte po luhet fort majtas e djathtas. Ditët do të dëshmojnë kush do digjet e kush do të triumfojë…