Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca u pyet nga gazetarët nëse do të ndikojë ngjarja e Bularatit në marrëdhënien diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai tha se “është e rëndësishme që dy vendet të gjejnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE”.
Luigi Soreca: Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Greqisë është një çështje dypalëshe. Është e rëndësishme për ne si BE që Greqia dhe Shqipëria të gjejnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Është e rëndësishme që komunitetet në Shqipëri, pakicat në çdo pjesë të vendit të mbrohen.
Numri një i diplomacisë europiane vlerësoi ministrin në detyrë, Fatmir Xhafaj për operacionet e fundit, ndërsa tha se shpreson që qeveria të vazhdojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Luigi Soreca: Ministria e Brendshme ka ndërmarrë disa operacione shumë të rëndësishme dhe në krye të tyre ka qenë ministri Xhafaj. Ndaj vlerësimi ynë për ministrin është i qartë. Ne shpresojmë që ministri i ardhshëm dhe e gjithë qeveria do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar në të gjithë vendin.
Deklaratat e ambasadorit të BE u bënë pas një aktiviteti në Fier.