Kur kanë kaluar dy ditë nga vrasja e minoritarit grek në Bularat të Gjirokastrës, telefoni i Konstandinos Kaçifas, i cili mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA, nuk është gjendur ende. Burime konfidenciale bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se telefoni i viktimës mund të japë detaje dhe informacione të rëndësishme, duke hedhur kështu dritë mbi ngjarjen.
Po ashtu mësohet se kërkesa e familjes së 35-vjeçarit, që autopsia të bëhej nga një mjek ligjor grek nuk është pranuar nga prokuroria e Gjirokastrës për shkak kompetencash, pasi çështja është në ndjekje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë.
Ditën e djeshme, familjarët e Kacifas kërkuan një mjek ligjor nga Greqia për të kryer autopsinë e djalit të tyre. Ata depozituan kërkesën në Prokurorinë e Gjirokastrës, ndërsa kanë shprehur rezerva për të dhënat e palës shqiptare. Familjarët dyshojnë se 35-vjeçari u qëllua nga afër, duke mos u pajtuar me versionin e dhënë nga pala shqiptare.
Kocifas qëlloi ndaj Policisë së Shtetit ditën e diel, ndërsa pas shumë orësh përpjekje për ta arrestuar, aksioni në fund përfundoi fatal për minoritarin, i cili u qëllua nga forcat RENEA, pavarësisht thirrjet të përsëritura për t’u dorëzuar.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime dhe kundër-reagime nga të dyja palët, ndërsa gjuha për vrasjen ka qenë e polarizuar si nga Tirana ashtu edhe nga Athina zyrtare.