Komisioni parlamentar i Ligjeve zhvillon sot një seancë dëgjimore me dy kandidaturat e Partisë Socialiste për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për Bledar Skenderaj dhe Rezarta Bitri, të cilët kandidojnë për anëtarë të KQZ. Prezantimi i tyre u bë nga kryetari grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Ai deklaroi se propozimet e Partisë Socialiste janë të bazuara në kodin zgjedhor. “Kam pritur që grupet parlamentare të bënin propozimet, ende nuk kane depozituar propozime. Nuk di nëse partitë e tjerë kanë vendosur të mos ushtrojnë të drejtën për të propozuar kandidatura për anëtarë të KQZ”, deklaroi Balla.
Ai tha se dy kandidaturat e PS i shkojnë seancës plenare për votim. “Në këtë mënyrë garantohet vijueshmëria e punës së KQZ”, tha Balla.
Rezarta Bitri ka qenë më herët këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë PD dhe LSI nuk kanë sjellë ende asnjë emër në Kuvend për anëtarë të KQZ.
Caktimi i anëtarëve të rinj të KQZ vjen pas përfundimi të mandatit të anëtarëve aktualë.