Ministri i Brendshëm grek, Aleksis Haritsis, ka deklaruar që zbardhja e plotë e ngjarjes së djeshme në Bularat përbën një prioritet absolut të qeverisë Tsipras.
Duke folur në parlament, Haritsis iu referua notës së protestës që ka bërë Greqia dhe shtoi se qeveria greke po e ndjek ngushtë këtë çështje dhe madje, kjo ndjekje nuk do të jetë vetëm në nivel teorik, por gjatë ditëve të ardhshme edhe në nivel praktik”, pa dhënë sqarime të mëtejshme.
Ministri i Brendshëm grek tërhoqi vëmendjen ndaj disa pozicionimeve në Greqi që sipas tij “u japin shansin britmave të ekstremit të djathtë që të manipulojnë një çështje kaq serioze dhe komplekse”.
Më herët, përfaqësuesi parlamentar i Demokracisë së re, Makis Voridis, e kishte cilësuar si “absolutisht të papranueshëm” prononcimin e kryeministrit shqiptar në rrjetet sociale, shkruan Ora News.
Sipas deputetit konservator familja e Katsifas ka paditur policinë shqiptare.
“Përderisa ka një proces në zhvillim e sipër, deklarata e kryeministrit të Shqipërisë që pozicionohet ndaj kësaj çështjeje gjyqësore, është absolutisht e papranueshme”, tha deputeti i Demokracisë së Re.
Deklaratës se kryeministrit Rama iu referua edhe deputetja e Lëvizjes për Ndryshim (ish PASOK), Evi Christodulopulou.
“Ne besojmë se deklaratat e kryeministrit shqiptar i hedhin benzinë zjarrit. Është e qartë se duhej të shprehte trishtimin e tij, por edhe të urdhëronte fillimin e një hetimi. Ato që tha, kështu siç i tha, nuk ndihmuan”, tha deputetja socialiste.
Përfaqësuesi i partisë komuniste, Thanasis Vardalis, vuri në dukje se “shfrytëzimi i ngjarjes nga forcat nacionaliste në të dy vendet është diçka që vetëm shqetësim mund të shkaktojë”.
Gjithë partitë parlamentare greke kanë qenë në unison në kërkesën për zbardhjen me transparencë të plotë të ngjarjes.