Kosova po merr goditje të fortë nga një numër i madh i shteteve të Bashkimit Evropian në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave.
Në takimet e mbajtura së fundi në Bruksel është bërë e ditur se janë më shumë se 10 shtete që e kundërshtojnë heqjen e vizave për Kosovën. Edhe ministrja Dhurata Hoxha ditë më parë ka bërë të ditur për “Zërin” se vendimi për heqjen e vizave mund të mos merret këtë vit, shkruan sot gazeta “Zëri” në Kosovë.
Pritjet e qytetarëve të Kosovës kanë qenë që këtë vit të paktën të merret vendimi për liberalizimin e vizave për zonën Schengen.
Megjithatë, kjo nuk pritet të ndodhë pasi procesi i vendimmarrjes në kuadër të Bashkimit Evropian është bllokuar për shkak të hezitimit të shumë shteteve anëtare të këtij unioni. Në takimin e fundit të mbajtur nga ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, i njohur si COREPE, është dëshmuar se 12 ose 13 shtete të BE-së ende hezitojnë ta mbështesin një vendim të tillë.
Se vendimi nga institucionet e BE-së mund të mos merret gjatë këtij viti e ka konfirmuar ditë më parë edhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha për gazetën “Zëri”.