Nga Ilir Seci/ Manhatan SHBA
Kisha lanë takim te dentisti në Manhattan, aty afër ku punoj, me shkue gjatë pushimit që mos me humbë kohën — nji udhë e dy punë, si i thonë fjalës.
Mbasi kreva punë, prita ashensorin në katin e 27, ku kam dentistin. Tue u hapë dera, ndigjoj shqip, nji burrë prej mbrenda liftit i tha «mirupafshim» nji grueje që doli nga ashensori n’atë kat. Grueja ishte e veshun si infermiere, dhe hyni te nji derë ku shkruente «klinikë private».
Hypa n’ashensor, dhe ai burri shqiptari që foli me atë gruen më hodhi nji shikim matës, nga kryet e deri te kambët, në nayrën tipike zhbiriluese shqiptare. Mos me e lanë me u torturue, i fola shqip.
— Si jeni? Mirë?
— Mirëdita, — nxitoi e ma kthye. — Nga të kemi? Nga e folura ngjan sikur je nga anët tona…
Unë qesha. Sa herë nxitojnë njerëzit me ma caktue origjinën, ua la mbarë, se kam dëshirë me pa ku duen me dalë.
— E, andej jam, — i thashë.
— Më vjen mirë, — tha, — se na mbytën malokët edhe këtu në Manhattan. E pe atë gruan që doli nga ashensori qëparë? Maloke nga Shkodra. Po që është bërë ndihmësmjeke tjera se? Punon te kliniku e një mjeku të njohur.
— Po ti, këtu punon? — e ngava unë, megjithëse e kisha pa nga uniforma që punonte pastrues xhamash te ai pallat, sepse kishte logon e kompanisë në bluzë: Window Cleaning.
— Po, kam vite që punoj këtu. Ç’të bëjmë? Na duhet të punojmë.
Heshti pak dhe shfryu:
— Bëjmë punë të rënda se shkollë s’bëmë dot. Ajo gruaja nga Shkodra që të thashë fillimisht pastruese ka qenë këtu. Bëri shkollën tjetra, dhe u bë ndihmësmjeke pastaja! Ky vend paskësh qënë për malokët, ore burrë. Të tërë nga andej janë. Nga Shkodra, nga Malësitë. Kam disa nga Kelmendi që punojnë këtu. Të gjithë ashtu flasin trashë, malokçe.
— Më fal, — e pyes unë qetësisht. — Çfarë kupton me malokë ti? Kë quan malok?
— Po këta pra që flasin trashë, që flasin malokçe… Këta që nuk flasin gjuhën zyrtare.
— Nga jeni ju? — e pyeta.
— Nga Skrapari jam, — m’u gjej.
— Po ky Skrapari sikur është malësi më duket? — bana të padijtunin unë.
— Po, malësi jemi, por jemi ndryshe… — nxitoi ai. — Nuk jemi të trashë se nuk flasim trashë.
— Pra, domethënë ajo gruaja që ka bërë katër vjet shkollë në Manhattan dhe është edhe ndihmësmjeke, ngaqë flet malokçe, qenka e trashë, kurse zotrote që punon pastrues dhe flet gjuhën zyrtare, qenkërke i hollë? Dhe jo veç shkolla… e di ti se Shkodra është vetëm nëntë metra mbi nivelin e detit!?
Mbeti. Nuk e priti.
— Po mirë. Këtë tjetrën a e di zotrote, që siç na e ka lënë të shkruar Faik Konica, fjala malok për herë të parë është futur në përdorim në shqip nga qytetarët e Beratit, të cilët quanin malokë pikërisht skraparllinjtë!?
Ai shtangu. Kishim zbritë disa kate, dhe për pak mbërrinim në katin ku ishte dalja. Prandaj nxitova me i thanë:
— E sa për ata kelmendasit që i quejte të trashë ti, a e din zotnia jote se Vermoshi asht treva e parë në Shqipni që ka pasë rrymë elektrike!? Se në fillimshekullin e kaluem, në Mal të Zi u ndërtue nji hidrocentral mbi një lum që binte ujna prej Vermoshi. E simbas së drejtës ndërkombëtare, duhet me i dhanë rrymë edhe viseve prej nga vinte ujët. Kështu që Vermoshi ka pasë tri brezni me drita kur zotnisë sate i kanë mbërri «Dritat e Partisë» më 25 tetor 1970, e që ju komunistat ende e kujtoni si festën e elektrifikimit të vendit. Sa për rastësi, sot qenka 25 tetor. Tri brezni para jush kanë pasë rrymë në Vermosh, e ju prap vazhdoni me masturbue në komplekse superioriteti.
Për fat, ngritësi i ngadaltë ma në fund u mtok në katin ku kisha me zhdrypë, e nuk m’u desh me ia pa ma bojën atij të ngrati.