Ministri në detyrë Fatmir Xhafaj nuk ka munguar as këtë të diel në zyrën e tij, ndonëse një ditë më parë dha dorëheqjen.
Rreth mesditës, ai ka mbërritur në Ministrinë e Brendshme, ndërsa të shtunën qëndroi në zyrë deri në mbrëmje, për më shumë se 9 orë.
Ministri i Brendshëm i dorëhequr, Fatmir Xhafaj do të vazhdojë të qëndrojë edhe për disa ditë në detyrë.
Të paktën deri ditën e enjte, kur është parashikuar që në Parlament të votohet dekreti i shkarkimit.
Kreu i shtetit e firmosi shkarkimin e Xhafajt vetëm pak orë pasi kryeministri Rama njoftoi se kishte pranuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, por Meta nuk është shprehur ende për propozimin e shefit të qeverisë, këshilltarit të tij Sandër Lleshi, për të marrë drejtimin e dikasterit të Rendit, më i sulmuari në kabinetin e Ramës.
Presidenti ka 7 ditë kohë, në të cilën bën të gjitha verifikimet rreth propozimit, ndërsa burimet pranë tij thonë se lëvizja mund të jetë në fillim të javës. Seanca e Parlamentit është të enjten, kur edhe do të votohet dekreti i shkarkimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm.
E nëse Meta ka firmosur emërimin e ri, në seancë do të kalojë edhe dekreti i pasuesit të Xhafajt, gjeneralit Sandër Lleshi.
Në këto 5 vite të qeverisjes së socialistëve, pas Tahirit dhe Xhafajt, Lleshi do të jetë ushtaraku i dytë që do të drejtojë këtë dikaster, pasi Dritan Demirajt, që qëndroi në detyrë gjatë muajve të paktit Rama-Basha.