Në historinë e muzikës shqiptare Françesk Radi do të kujtohet gjithmonë si artisti që foli jo vetëm përmes tingujve por dhe përmes tekstit.
Vargjet më sipër janë shkëputur nga kënga “Zemër e lodhur”, një udhëtim përmes muzikës që Radi bën në historinë e një qyteti që është në një farë mënyre dhe historia e tij. Një këngë që teksa e dëgjon sot që artisti nuk është më, duket se ka paralajmëruar ikjen e pashmangshme.
“Eja pranë më thotë pylli/dhe në emër më thërret/zile e gjelbër e natyrës/zile e gjelbër plot me jetë/dhe do cirrem do të lodhem nëpër ferr e nëpër bar/si një zog pyllin do marr…”, janë vargjet e fundit të kësaj kënge.
Një këngë kaq e ndjerë që mbart zhgënjimin jo vetëm të artistit dhe intelektualit me mënyrën sesi është shëndrruar këto vite qyteti dhe jeta.
Muzika e Radit nuk ishte vetëm një muzikë e ndjerë, por kishte brënda dhe intelektualin e angazhuar, duke I folur problemeve të ndjeshme të shoqërisë.
Françesk Radi me jetën e tij duket se simbolizon më së miri artistin që iu desh të shtrinte artin e tij në dy pjesët e një sistemi, ku më i ashpri e trishtues ishte diktatura komunist. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë.
“Nga zhurma e qytetit ika që me natë
përpara rruga e gjatë , rruga e gjatë
e lash qytetin mbushur plot me zogj të vrarë
trishton një pemë e tharë, dhe bari I gjatë
Sa më ka plakur kjo dhembje e gjatë
Qyteti dukej si gjethe e tharë
Ai sot më trishton, mallin e parë më kujton…
Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTV.
Pjesë më të bukur të jetës ai konsideronte fëmijërinë në qytetin e Shkodrës. ”Me të vërtet femërinë time e kam kaluar në Shkodër, dhe ajo është pjesa më e bukur e jetës time, pasi aty u edukova, isha koherent me muzikën, me jaret, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve, pra çdo gjë e asaj kohe ka lënë gjurmë te unë thjesht si fëmijë, dhe më vonë gjithë këto ndikime, gjithë këto emocione, kanë ndikuar dhe në formimin tim muzikor”, do të shprehej ai në një intervistë kohë më parë.
Idhujt e tij të parë ishin Tonin Tërshana dhe Vaçe Zela apo Anita Take. I konsideruar si Çelentano shqiptar vetë kantautori e ka pranuar ndikimin që muzika italiane ka pasur në muzikën e tij.
”Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet ‘70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj”, do të shprehej ai.
Kitara do të bëhej një element i rëndësishëm i këngëve të tij, që do ta indentifikonte lehtë. Periudha e komunizmit nuk do të ishte e lehtë dhe për artistin.
“Realizmi socialist kishte atë kornizën e vet dhe ishte e vështirë të dilje nga kjo kornizë, megjithatë gjërat bëhen më të bukura kur janë të ndalura. Ne e dëgjonim dhe përfitonim nga ajo lloj muzike, mënyra e konceptimit, mënyra e akordeve i zbërthenim tonalitetet, domethënë ka qenë një ndihmë e madhe. Kishte probleme shkolle, fletërrufesh, etj”, shprehej Radi.
Kitara në dorë do ta bënte atë të shihej gjithnjë si modern.”Ka pasur shumë raste, unë në atë kohë shikohesha si pak modern, pasi bija në sy me kitarë. Bujar Kapexhiu më ftoi që të marr pjesë në një premierë, por më parë duhet të më dëgjonte komisioni. Unë shkova dhe mu duk vetja si në gjyq.
Këndova një këngë “Në aksion ishim bashkë ne të dy”, më vjen njëri dhe më thotë duhet të jesh më i qeshur se po i këndon “Aksionit”, e këndova dhe njëherë, komisioni e aprovoi, po u bë nami se dola me golf në skenë.
Më erdhën drejtuesit dhe me thanë se kush ju ka dhënë urdhër të dilni me golf në skenë dhe unë ju thoja se më ka thënë drejtori, më thoshin ik vish diçka tjetër. Ishte një situatë aq komike, por dhe e rrezikshme”, tregonte ai. Dy nga këngët e tij më të dashura mbeten “Adresa”dhe pengje.
“Peng i kam patur të dyja, sepse ato në atë kohë nuk janë kënduar siç kam dashur unë, por siç donin ata që kontrollonin. Mbaj mend se kur kam regjistruar “Adresën” dhe me thoshin “Franko regjistroje një çik më thjeshtë” arriti deri aty sa që më thoshte tekniku (kuptohet për mirë) “A ka mundësi ta interpretosh keq se për ndryshe kënga nuk mund të kalojë”. “Biçikleta” , megjithëse dhe to për vetë kohën nuk kanë kaluar pa peng”, shprehej artisti.
Vitet 90-të do të hapnin një tjetër botë para tij.” Për mua ishte një kohë relativisht e gjatë kur unë isha i shkëputur nga profesioni pasi më ishin mbyllur të gjitha dyert. Pas viteve ‘90 filloi një erë e re për mua, ato që kisha ndrydhur në memorien time tani më në fund arrita t’i shpreh.
Habitem si pas 20 vjetësh shkëputje nga muzika, them si kam arritur t’i realizoj këto këngë”, shprehej Radi. Muzika e tij nuk ndryshoi në këto vite, duke ruajtur të njëjtën ndjesi muzikore e zgjedhur të njëjtat tekste të fuqishme duke vazhduar të ishte I dashur për miliona njerëz./gazeta shqip