Nga Astrit Patozi
Më pyeti një mik sot se pse e kishte dhënë dorëheqjen Fatmir Xhafa. I thashë, aty për aty, se nuk e dija dhe se nuk më interesonte shumë. Por ai nuk më ndahej dhe e donte patjetër një shpjegim. Për të shpëtuar i kërkova që të lexonte reagimin e opozitës zyrtare, sepse, me logjikë, ai duhet të ishte më afër të së vërtetës.
I kam parë, më tha, por më kanë ngatërruar më shumë. Se nuk gjen dot dy udhëheqës që ta interpretojnë njësoj. Madje ka midis tyre, që ndryshe thonë në mëngjes, e ndryshe në drekë, sepse darka nuk ka ardhur akoma.
Njëri thotë se u sakrifikua për të shpëtuar “Xhuxhin”, tjetri thotë nga frika e Saimir Tahirit, që do të dilte në konferencë shtypi. Pastaj të tjerë e lidhin me vetë karriken e Edi Ramës, i cili e bëri të gjithën për të mbrojtur veten, por që nuk ka për t’ia arritur kurrë qëllimit. Pastaj del dikush e thotë se po flitet se Xhafa është regjistruar në një aferë pasioni, por në fakt ka plasur një konflikt i egër mes dy klaneve mafioze në qeveri.
Jam i sigurt, që pas gjithë këtij bombardimi shpjegimesh, shumë njërëz të opozitës janë futur në dilemën, nëse tani Fatmir Xhafën duhet ta çmojnë si personazh pozitiv apo negativ. Dhe nuk kanë faj.
Po të kishin dalë nga socialistët apo nga shtypi i majtë të gjitha këto versione, do të mendoja, pa një e pa dy, se i sajon vetë Edi Rama, që ta sfumonte sa më shumë të vërtetën dhe peshën politike të kësaj historie. Por është e qartë që “krismat” nuk vijnë prej andej dhe kjo e bën më të pazgjidhshëm lëmshin.
Ndaj i thashë mikut se ishte i lirë të zgjidhte variantin që i dukej më interesant. Tek e fundit, kudo që ta vinte gishtin, ai do kishte më pak përgjegjësi për këtë garë të çuditshme fantazie, se sa ata që nuk i linin radhë njëri-tjetrit, si të bëhej fjalë për interpretim ëndrrash, e jo për një moment të rëndëshëm politik.
Kurse unë për vete nuk ngutem që të kem një mendim timin për dorëheqjen e Xhafës. Por do të pres ditën që do të na dalë ndonjë përgjim edhe për këtë çështje, sepse nuk mund të kuptohet ndryshe. U bënë ca kohë në këtë vend që asnjë fenomen nuk shpjegohet dot pa ndihmën e përgjimeve dhe sikur u mësuam me këtë praktikë.