Nga Spartak Braho
Përgjegjësit e tragjedisë që nuk u ndëshkuan asnjëherë
Kemi mburr në pjesën e tretë të raportit Ngjela për ngjarjet e vitit 1997. Pavarësisht se ky raport nuk u bë publik asnjëherë, ka vlera dhe është realist, përmban ca të vërteta që demokratët aktualë as sot ekësaj dite nuk kanë guximin t’i pohojnë.
Nëqoftëse në pjesën e dytë të raportit Ngjela flitej për një plan qeveritar për “masakrimin” e Vlorës, sikurse ekishte emërtuatr ju në gazetën ‘DITA’ dje, në këtë pjesë të tretë të raportit Ngjela ka një të vërtetë të pamohueshme edhe sot e kësaj dite: Ndarja veri-Jug. Në vitin 1997 ndodhi një fenomen i tillë. Ishte Sali Berisha që e nxiti këtë përçarje, këtë luftë dhe urrejtje të Veriut kundër Jugut të vendit. Nëse ka ndonjë gjë më të shëmtuar në historinë tionë kombëtare është pikërisht kjo: ushqyerja e një ndasie midis veriut dhe jugut të vendit. Në formën më të qartë kjo ndasi virtuale, imagjinare dhe e supozuar është shfaqur në vitin 1997. Fatmirësisht, pavarësisht angazhimit të të gjitha strukturave të shtetit të asaj kohe, ky mekanizëm nuk funksionoi. Për të mirën e shqiptarëve natyrisht. Por edhe në këtë raport të kolegut tim Ngjela del qartë se kush ishte ideatori dhe arkitekti i kësaj përçarjeje kombëtare.
Pavarësisht se raporti Ngjela nuk miratua në Kuvend, (ndërsa u miratua raporti që kam lexuar unë dhe që do të botohet në vijim), në thelbin e tij raporti përmban ca të vërteta të pamohueshme. Ngjela,sikurse do ta lexoni në këtë raport thotë qartë: “administrata e lartë shtetërore drejtuesit kryesorë të shtetit e humbën ekuilibrin në këto çaste, dhe me mendjengushtësi e konceptuan revoltën që kish plasur në jug si një përplasje zonale jug-veri.”
E pra, ai, Ngjela tregon thelbin: Berisha dhe të tijtë në qeverisjen e vendit për të shpëtuar lëkurën, u përpoqën me të gjitha mënyrat që ta paraqisnin revoltën popullore kundër Berishës, si një konflikt qytetar midis veriut dhe jugut, apo anasjelltas.
Koha tregoi se një konflikt i tillë nuk ekzistonte. Veriu i vendit i thirrur për mobilizim nga Berisha nuk u përgjigj. Në atë kohë, (mbase edhe sot e kësaj dite) Berisha e urreu veriun si edhe jugun që nuk e ka dashur asnjëherë.
Një konkluzion i Ngjelës është i pandryshueshëm edhe pas më shumë se njëzet vjetësh mbi përgjegjësit e tragjedisë. Ngjela thotë: “…Para përgjegjësisë duhet të dalin ish Presidenti Sali Berisha, ish Kryetari i SHIK-ut Bashkim Gazidede, ish Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Adem Çobani, ish Ministri i Brendshëm Halit Shamata, Agim Shehu, Leonard Demi, Xhait Xhaferi, Shaban Memia e të tjerë, të cilët në bazë të nenit të ligjit nr 8251 të kalohen për hetim në organet e Prokurorisë.”
Fakt është se asnjë nga personat e mësipërm nuk doli para gjyqit. Madje disa prej tyre vazhduan të mbijetojnë në politikë dhe të mbajnë funksione publike.
Unë e respektoj mendimin e kolegut Ngjela dhe do të isha i interesuar të dija se çfarë mendon ai njëzet e një vjet pas tragjedisë së 97-s. Përpiquni t’i merrni një opinion Ngjelës, pasi jam i sigurt se nuk do të ngurrojë të shprehet në DITA…
(Vijon nga numri i kaluar)
Një çështje tjetër e cila përbën objekt analize për komisionin është problemi i vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme. Në qoftë se do ta shohim këtë çështje nën një prizëm strikt juridik, konstatojmë se në Kushtetutën aktuale, ajo përmendet vetëm një herë dhe vetëm në kompetencat e Presidentit neni 28, pika 17. Veç kësaj, nuk ka asnjë dokument tjetër juridik me anë të të cilit, të sqarojmë konceptualisht se çfarë duhet të kuptojmë me gjendje të jashtëzakonshme. Në lidhje me këtë dalin këto pyetje:
1.Pse u vendos gjendja e jashtëzakonshme nga Parlamenti shqiptar?
2.Cili duhet të jetë raporti midis policisë dhe ushtrisë në gjendjen e jashtëzakonshme?
3.A hyn koncepti i mobilizimit të pjesshëm të ushtrisë brenda konceptit juridik të gjendjes së jashtëzakonshme?
4.A është i lejueshëm përdorimi i ushtrisë në gjendjen e jashtëzakonshme, dhe nëse është i lejueshëm çfarë kompetencash kushtetuese duhet të ketë Parlamenti në aplikimin e saj?
Të gjitha këto çështje nuk marrin asnjë përgjigje nga struktura juridike dhe konstitucionale e shtetit aktual. Por në anën tjetër është pikërisht kjo paqartësi e plotë juridike, e cila solli miratimin e ligjit nr.8195, date 3.3.1997 që nxori Kuvendi Popullor “Për disa masa për gjendjen e jashtëzakonshme”.
Brenda kësaj inkonseguence dhe paqartësi juridike, si dhe brenda defekteve konstitucionale që përmendëm më Iart në lidhje me kompetencat e Parlamentit, shoqëria është ndodhur përballë këtij fakti juridik të pamotivuar.
Komisioni disponon në bazë të gjerë dokumentare e përbërë nga plane operacionale luftarake nga urdhra për mobilizim të pjesshëm, zhvendosje trupash, dhe armatim të lehtë dhe të rëndë luftarak drejt Jugut të Shqipërisë, nga ana e ushtrisë, urdhëra për armatosjen e strukturave të Ministrisë së Brendshme, Gardës dhe SHIK-ut me armatim të rëndë si raketa e topa, transportues të blinduar, mitralozë, granata etj.
Të gjitha këto urdhra të dhëna nga drejtuesit e ushtrisë si Safet Zhulali, Adem Çobani, Leonard Demi, Halit Shamata, Asllan Bushati etj., u shoqëruan me veprime goditëse luftarake kundër popullsisë së qyteteve kryesore në Jug duke filluar nga mitralime e goditje me raketa nga ajri, e deri tek përgatitjet për goditje me lëndë helmuese, shkatërrimin e urave kryesore etj.
Në rast se do ta shohim me vëmendje situatën shoqërore brenda revoltës së saj, në momentin e vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, në datën 3.3.1997, dhe precipitimin e ngjarjeve më pas, konstatojmë se menjëherë pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme shohim se në mënyrë të rrufeshme në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë shpërthehen depot ushtarake dhe popullsia civile armatoset në mënyrë krejt spontane dhe të pakontrolluar me rreth 1 milion armë automatike të kalibrit të lehtë dhe të rëndë, armë antitank, mortaja etj.
Ndërkohë Komisioni konstatoi se nga strukturat e Ministrisë së Brendshme, Gardës së Republikës, SHIK-ut u janë shpëmdarë armë personave civilë me preferencë politike. Kemi të dhëna se një shpërndarje e tillë armësh me lista është nxitur e motivuar nga disa drejtues të pushtetit lokal se masa “për të mbrojtur shtetin dhe qeverinë nga kryengritësit” dhe “rebelët e jugut” nga “kërcënimi komunist” për të rrëzuar qeverinë, ku veçanërisht më aktive rezulton se janë treguar Shaban Memia në zonën e Tiranës, Sokol Jemishta në zonën e Durrësit, Ibrahim Mullaliu në Durrës, Blerim Çela etj.
Mendojmë se administrata e lartë shtetërore drejtuesit kryesorë të shtetit e humbën ekuilibrin në këto çaste, dhe me mendjengushtësi e konceptuan revoltën që kish plasur në jug si një përplasje zonale jug-veri. E themi këtë sepse nga materialet që disponojmë, edhe mobilizimi i pjesshëm ushtarak bëhet vetëm në zonat veriore për të goditur jugun ndonëse brenda soliditetit të unitetit kombëtar vetë këto zona nuk i janë përgjigjur këtij lloj mobilizimi, gjë që tregon se për këtë çështje koshienca e popullit ka qenë më e lartë se koshienca e politikës që e qeveriste atë.
Brenda kësaj analize faktike që i bëjmë momentit të gjendjes së jashtëzakonshme, pasi analizuam momentin defektoz të strukturave juridike, kundërvënien e shtetit ndaj revoltave paqësore të popullsisë, patjetër që shtrohet çështja se, për ç’arsye në krye të shtabit që drejtonte gjendjen e jashtëzakonshme u vendos Kryetari i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Ai ishte i ligjshëm dhe i motivuar ky veprim i Presidentit të Republikës?
Në lidhje me këtë, Komisioni u detyrua që të shihte në mënyrë të përgjithshme se si ka funksionuar gjatë periudhës 1992-1997 institucioni i SHIK-ut. Me keqardhje konstatojmë se SHIK në veprimtarinë e tij është lejuar të dalë jashtë strukturës ligjore që përcakton në mënyrë të prerë veprimtarinë e tij, dhe pa asnjë bazë ligjore ka ndjekur dhe survejuar opozitën në veprimtarinë politike të saj, si dhe liderë politikë që ndërkohë kanë qenë deputetë të Kuvendit Popullor.
Duke qenë se shoqëria shqiptare ka vuajtur shumë në të kaluarën nga përdorimi i policisë sekrete politike për survejime masive të shoqërisë, pa asnjë kriter dhe barbarisht, mendojmë se për funksionimin e SHIK-ut, në periudhën 1992-1997, të ndërmerret një hetim serioz nga Parlamenti me pjesëmarrjen e domosdoshme të opozitës, në mënyrë që të ndërpritet njëherë e përgjithmonë momenti abuziv në institucionin e SHIK-ut në mënyrë që të mos rëndohet edhe më tej emocionalisht psikika shoqërore, e cila ka vuajtur për një periudhë shumë të gjatë nga prezenca e policisë sekrete politike në gjirin e saj. E shohim këtë si një gjë të domosdoshme në ecurinë e konsolidimit të demokracisë dhe në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në shoqërinë tonë.
Në funksion të këtyre që shprehëm, vendosja e Kryetarit të SHIK-ut si komandant i operacionit për shtypjen e revoltave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, e ka acaruar më tepër opinionin publik dhe mendojmë se është një nga shkaqet ose arsyet që popullsia civile e rriti edhe më tepër shqetësimin e vet në lidhje me rrezikun e situatës. Nga dokumentet që disponojmë të bën përshtypje se ndonëse Bashkim Gazidede, Komandant i operacionit firmos nën tagrin e gjeneralit, deri tani ne nuk kemi gjetur asnjë dekret presidencial me anë të të cilit, gjithmonë sipas Iigjit, ky të ketë marrë gradën e gjeneralit. Kuptohet se një fakt i tillë është tepër sinjifikativ për të mbërritur te konkluzioni se shteti në këto momente e ka humbur sensin ligjor dhe logjik, gjë kjo që padyshim e ka çuar edhe më tej destabilizimin e popullsisë shqiptare, ku pa dyshim përgjegjësinë kryesore për këto veprime antikushtetues e ka ish presidenti Sali Berisha.
Në lidhje me këtë, momentet e dezertimit të ushtrisë nga forcat e operacionit të drejtuar nga Gazidede, në Fier, si dhe goditjet e Përmetit në 9 mars, pikërisht në ditën që Berisha gjoja shpalli armëpushimin, ku ushtria dhe SHIK-u goditën dhe vranë në pabesi 6 njerëz të pafajshëm për të cilat disponohen dokumente. Dy dëshmi janë edhe momentet e shpërbërjes totale të ushtrisë, panikut të saj dhe vazhdimit të armatosjes me virulence të popullsisë civile në Shqipëri në Jug të saj.
Aspekti tjetër që trajtojmë në lidhje me momentet e gjendjes së jashtëzakonshme, gjithmonë brenda kontekstit të shkaqeve dhe arsyeve që sollën ngjarjet e rënda të periudhës janar-qershor 1997, është fakti i përmendur: A kanë influencuar agjenturat e huaja në destabilizimin total që përjetoi shoqëria shqiptare? Një hipotezë kjo e përdorur nga Gazidede, B.Çelo, S.Zhulali etj.
Nga dokumentet që disponon SHIK-u, nuk gjendet asnjë e dhënë që agjenturat e huaja të kenë influencuar paraprakisht për maisjen e gjendjes që krijoi shpërthimet e situatës negative. Të bën përshtypje të madhe se relacioni që ka paraqitur përpara Parlamentit shqiptar Kryetari i SHIK-ut, z.Gazidede, në mars 1997, është krejtësisht i pambështetur në prova dhe fakte që duhet të kishte institucioni që ai drejtonte. Nga këqyrja e dokumenteve që iu bë SHIK-ut në lidhje me këtë çështje, Komisioni konstaton se nuk ka asnjë dosje në përpunim për zbulimin amerikan (CIA), nuk ka asnjë të dhënë që ky zbulim të ketë vepruar në Shqipëri kundër interesave kombëtare dhe stabilitetit politik; kurse në lidhje me të ashtuquajturin plani lotus që z.Gazidede e lidh si ndërhyrje të qarqeve shoviniste greke në Shqipërinë e Jugut, në analet e SHIK-ut ekziston që nga viti 1989 një dosje e formuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, gjendet aty një relacion për këtë plan, por dosja e mbledhur rreth kësaj çështjeje është mbyllur në vitin 1990 dhe rreth saj nuk ka më asnjë material konkret të dokumentuar. E gjithë alibia e rrezikut të jashtëm u krijua si kundërpeshë duke provokuar rrezikun imagjinar të luftës me Shqipërinë gjë që pa dyshim shton më tej përgjegjësinë direkte të drejtuesve të shtetit shqiptar.
Por në vazhdim të analizës tonë për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të shtruara në fillim, le të hedhim një vështrim nën dritën e fakteve të hetuara dhe atyre që dihen botërisht se si reagoi shteti dhe çfarë ndodhi në Shqipëri prej Marsit të ’97 e deri në qershor të këtij viti.
Faktet dëshmojnë se përplasjet dhe ngjarjet tragjike të shoqëruara me vrasje si në Përmet midis popullsisë civile dhe strukturave të armatosura të shtetit, si ushtria e SHIK-u, viktimat e Kanalit të Otrantos shënojnë kulmin e egërsisë së shtetit dhe qeverisë kundër popullit, por njëkohësisht edhe kriminalizimin përfundimtar të synimeve të saj për të shtypur me mjete dhune popullin që u shoqëruan me mijëra të vrarë e të plagosur. Pas kësaj masakre ku shteti nga njëra anë shkon drejt shthurjes dhe nga ana tjetër egërsohet, përvijohen qartë edhe tendenca për të shtypur e goditur edhe opozitën politike, e cila jo pa sukses vihet në krye të revoltave popullore. Liderë të opozitës si Mejdani, Gjinushi, Majko, Brokaj, Ceka, Peshkopia, Legisi, Rama, vihen në ndjekje e procedohen penalisht, e rrihen barbarisht nga strukturat gjyqësore e SHIK-u.
Brenda këtij konteksti, ndonëse ende e pa zbardhur mirë është edhe djegia e Redaksisë së gazetës “Koha Jonë”.
Përfundimisht periudha deri në 9 mars 1997 dëshmon qartë për antagonizmin e veprimeve të shtetit nga njëra anë dhe të popullsisë nga ana tjetër, e cila tashmë gjen organizim nëpërmjet komiteteve të shpëtimit, nxjerr nga gjiri i saj liderët si zëdhënës të kërkesave të saj, ku ndër më prestigjozët paraqitet “Forumi për Demokraci”. Është pikërisht kjo periudhë kohore dhe ky moment akumulimi, ku në plan të parë evidentohet kërkesa unanime për rrëzimin e Qeverisë, dorëheqjen e Berishës si president dhe zgjedhjet e reja, si të vetmet alternativa që do ta nxjerrin vendin nga kriza e gjithanshme. Tavolina e 9 Marsit dhe Krijimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar padyshim frenon shkatërrimin total të kombit dhe shtetit shqiptar dhe ky moment politiko-historik përbën një kapitull të rëndësishëm ku duhet të ndalen në studime historianët dhe politologët, por komisioni parlamentar duke studiuar kështu këtë periudhë konstaton se megjithëse se kriza e shkatërrimit total u ndal në Shqipëri, përsëri nuk u ndal në mënyrë të plotë anarkia e cila u shoqërua me lindjen e fenomeneve të degradimit shoqëror, lindjen e banditizmit e të kriminalizimit të grupimeve të caktuara mafioze, të cilat në shumë raste u manipuluan edhe për qëllime të caktuara politike.
Ngjarjet e mëvonshme tragjike të Urës Vajgurore në Berat, Marshimi monarkist për të rrethuar K.Q.Z. urdhërat dhe veprimet luftarake të gardës së Republikës për të nënshtruar institucionet kryesore të Tiranës në fillim të korrikut ‘97, episode të cilat janë objekt hetimi i organeve të Prokurorisë, e për të cilat komisioni nuk mori përsipër të hetojë, janë epilogu i vështirë në të cilat u përball shoqëria dhe politika shqiptare që drejtonte atë.
Ne mendojmë se midis dy alibive të ngritura, asaj që përbën mendimin e ish pozitës sipas të cilës, shteti ishte në ecuri normale, por njerëzit e revoltuar, të nxitur nga opozita e shkatërruan dhe e goditën atë me dhunë për të përmbysur shtetin demokratik, dhe alibisë së dytë të ish opozitës, sipas të cilës shteti ishte regresiv, qeveria mashtroi e duke nxitur krizën financiare goditi me dhunë revoltat paqësore të popullit, i cili u ngrit në revolta i armatosur në vetëmbrojtje, gjë që solli disekuilibrimin total të shoqërisë, alibia e parë nuk gjen vend e nuk mbështetet as nga faktet e as nga argumentet logjike të zhvillimeve shoqërore-politike në Shqipëri gjatë periudhës janar- qershor 1997.
Le të vijmë tani tek përgjigjja e pyetjes së fundit që mori përsipër të sqarojë komisioni, cila qe përgjegjësia e klasës politike shqiptare, dhe a ka përgjegjësi direkte individuale ndërmjet politikanëve e shtetasve shqiptarë? Konkluzioni ynë është ky: E gjithë klasa politike shqiptare në të dy krahët e saj, pozitë, opozitë duhet të marrin me vete përgjegjësi për atë çka ndodhi tragjikisht me shtetin dhe popullin shqiptar. Por veçanërisht përgjegjësi të rëndë në planin moral dhe historik duhet të mbajnë ato forca politike dhe ata drejtues që përbënin pozitën e që drejtuan shtetin dhe kombin shqiptar gjatë periudhës ’96-’97. Për shkaqet dhe faktorët që analizuam më sipër mbështetur në dokumente, dëshmi e fakte të shumta pozita, forcat politike, dhe shtetarët që drejtuan shtetin gjatë periudhës ‘92-’97 mbajnë përgjegjësi kryesore për shkatërrimin e shtetit shqiptar, të inkompetencës së strukturave të tij si ushtria, policia, SHIK-u për humbjet e pallogaritshme ekonomike e për mijëra viktima të vrarë të plagosur e të humbur në formën e gjenocidit si rezultat i përdorimit të dhunës kundër një pjese të popullsisë së vendit. Në këtë kontekst veçohet edhe përgjegjësia direkte individuale, morale e ligjore e drejtuesve kryesorë të shtetit e institucioneve të tij ku më evidente Komisioni çmon se përpara kësaj përgjegjësia duhet të dalin ish Presidenti Sali Berisha, ish Kryetari i SHIK-ut Bashkim Gazidede, ish Ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Adem Çobani, ish Ministri i Brendshëm Halit Shamata, Agim Shehu, Leonard Demi, Xhait Xhaferi, Shaban Memia e të tjerë, të cilët në bazë të nenit të ligjit nr 8251 të kalohen për hetim në organet e Prokurorisë.
Në përfundim Komisioni, pa pretendimin se nëpërmjet tërë veprimtarisë së tij investiguese, ka mundur e arritur të hetojë gjithçka në ngjarjet komplekse të periudhës janar-qershor 1997, shpreh mendimin se ai për aq mundësi sa pati detyrën e ngarkuar nga Parlamenti mbështetur në kërkesën legjitime të elektoratit dhe popullit shqiptar, e realizoi në një farë mënyrë me objektivitet duke i hapur rrugë kështu organeve dhe institucioneve të tjera investiguese e strukturave të specializuara për të çuar ato më tej, me të vetmin qëllim që ato të bëhen mësim për vetë klasën politike dhe popullin shqiptar për të mos u përsëritur kurrë në të ardhmen.
KOMISIONI I HETIMIT TË NGJARJEVE JANAR-QERSHOR 1997
20.5.1998
Dita