Vitin që Meta shkoi me bllokun e pazarit në zyrën e Dritan Priftit, bleu 1 milionë euro pasuri të paluajtshme me paratë e korrupsionit, mbajti 200 mijë euro jashtë sistemit bankar, askush nuk e hetoi
Nëse ka ndonjë politikan në Shqipëri që Byroja Kombëtare e Hetimit mund ta mbërthejë lehtësisht për pasuri të pajustifikuar dhe pastrim parash, ai është Ilir Meta, i certifikuar nga ndërkombëtarët, përmes raporteve sekrete dhe publike, si peshku më i madh i korrupsionit në Ballkan.
Vitin që Ilir Meta shkoi në zyrën e Dritan Priftit me bllokun e pazarit në dorë, për të ndarë hidrocentrale dhe favore të tjera për klientët e tij, ka blerë rreth 1 milionë euro pasuri të paluajtshme, ku si të ardhura të ligjshme ka deklaruar dhe vazhdon të deklarojë vetëm dy rroga.
Një vit pasi u bashkuan me Berishën, pra në vitin 2010, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë kanë blerë një apartament me vlerë rreth 400 mijë euro në Tiranë, tek Rruga e Barrikadave.
Meta dhe Monika kanë deklaruar se për të paguar shtëpinë kanë marrë 200 mijë euro kredi në Credins Bank, ndërsa 200 mijë euro të tjera i kanë pasur cash në dorë. Së pari shuma e fundit nuk rezulton të jetë e deklaruar më parë nga Meta dhe Monika në asnjë nga deklaratat e pasurisë, çka krijon dyshime të forta se 200 mijë eurot janë para korrupsioni dhe aferash, ndërsa 200 mijë eurot e tjera të kredisë janë thjeshtë një justifikim, për të mbuluar pjesërisht blerjen e pasurive të paluajtshme me para të pista.
Së dyti, ligji për deklarimin e pasurive, nuk lejon që një shumë kaq e madhe parash të mbahen jashtë sistemit bankar.
Ligji ndalon për të mbajtur më shumë se sa 1.5 milionë lekë jashtë sistemit bankar, ndërkohë që Meta dhe Monika deklarojnë me një dorë 200 mijë euro jashtë bankave.
Ligji parashikon që: “Subjektet e këtij ligji, që plotësojnë deklarimin për herë të parë, sipas nenit 5/1, të tij, nuk mund të mbajnë dhe të deklarojnë gjendje në cash, jashtë sistemit bankar, mbi shumën 1,5 (një presje pesë) milionë lekë.
Për subjektet që deklarojnë sipas nenit 5/1, të të këtij ligji, depozitimi në institucionet bankare i gjendjeve CASh mbi vlerën e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, është i detyrueshëm përpara dorëzimit të deklaratës së interesave private në ILDKPKI”.
Gjatë vitit 2010, Meta dhe Monika flasin edhe për vilën në Gjirin e Lalzit. Meta e deklaron vilën “Apartament banimi 2 kate, me sipërfaqe 317 metra katror në fshatin turistik në Gjirin e Lalzit Durrës me kontratë sipërmarrjeje me Lura sh.p.k.
Burimi, këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agigos, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli”.
Në atë kohë vila kushtonte mbi 600 mijë euro, ndërsa sot vlera e saj është disa herë më e madhe. Si të ardhura ata deklarojnë, Meta 1 768 385 lekë si zëvendëskryeministër dhe ministër dhe Monika 969 324 lekë si sekretare e LSI dhe 969 324 lekë si anëtare e Këshillit Bashkiak.
Meta dhe Monika i kanë blerë këto pasuri, kur një vit më parë, pra në vitin 2009, rezultonin të zhytur në borxhe. Madje, para se të bashkoheshin me Berishën për të qeverisur bashkë, Monika ka marrë borxhe në banka dhe tek vëllai i saj.
Në atë kohë, por edhe sot, askush nuk ka hetuar rreth burimit të pasurisë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Në krye të ILDKPKI ishte Adriatik Llalla, një ushtar i verbër i Berishës dhe Metës, të cilin më pas e bënë edhe kryeprokuror.
Sot vetë Llalla është nën hetim për pastrim parash, ndërsa i kanë sekuestruar pasurinë. Çuditërisht, as Arta Marku nuk i thërret Metën dhe Monikën për t’i pyetur se ku i kanë gjetur 200 mijë euro në vitin 2010 për të blerë një apartament me vlerë 400 mijë euro. Po ta kishte bërë një qytetar i zakonshëm këtë veprim, do të kishte përfunduar në burg dhe pasuria do t’i konfiskohej./Pamfleti