Policia italiane e Raguzës në Siçili ka arrestuar shtetasin shqiptar H.F 24 vjeç me akuzën e trafikut të drogës të tipit kokainë.
Në zotërim të tij janë gjetur 30 gramë kokainë si dhe rreth 350 euro cash.
Në automjetin e tij ndodhej dhe një vajzë 5-vjeçare, e bija e një kushëriri të tij.
Ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit me të cilën udhëtonte shqiptari që ka shtyrë policinë e Raguzës të vihet në ndjekje të automjetit.
Sapo ka parë makinën e policisë, shqiptari ka shtuar shpejtësinë duke u munduar të humbasë gjurmët, si dhe ka hedhur nga dritarja e automjetit rreth 12 gramë kokainë.
Pas një ndjekje prej disa minutash, 24-vjeçari shqiptar është ndaluar nga policia italiane e cila ka zbuluar se në sediljen pranë tij ndodhej një vogëlushe 5-vjeçare që qante e terrorizuar.
Vogëlushja i është dorëzuar babait të saj, i cili ishte familjar i afërt me 24-vjeçarin.
Babai i 5-vjeçares pohoi se i kishte dhënë makinën e tij dhe vajzën për ta shëtitur dhe se nuk kishin dijeni mbi aktivitetin e të arrestuarit.
Kontrolli në banesën e 24-vjeçarit çoi në sekuestrimin e 18 gramë të tjera kokainë.
Shqiptari i arrestuar H.F banonte prej vitesh në Raguza dhe ishte i skeduar më parë nga policia italiane.
a.s/dita