Djali i Fahri Balliut në të njëjtën kohë edhe deputet i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka kujtuar ditën e shembjes së shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Në fakt duket qesharake dhe paradoksale që djali i një ish-komunisti të konvertuar në “demokrat”, të bëjë këtë thirrje.
Mbase ligjvënësi i ri duhet të pyesë babain e tij për të mësuar se kush janë komunistë dhe kush jo pasi kur shqiptarët u ngritën për ndryshimin e madh, Fahri Balliu mbronte grahmat e fundit të sistemit gjakatar.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook ai përgëzon etërit që shembën regjimin totalitar.
Postimi i plotë
Shembja e simboleve të diktaturës
Më 20 shkurt 1991 Shqiptarët me guxim të pashembullt, shembën shtatoret e diktatorit më gjakatar të Europës lindore, Enver Hoxhës.
Të frymëzuar nga greva e urisë së studentëve që kërkonin heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti i Tiranës, shpirti antikomunist i shqiptarëve hodhi dhe tërhoqi zvarrë shtatoret e njeriut që vendosi në Shqipëri diktaturën e mohimit të të drejtave të njeriut, izolimit, urisë, vrasjeve, kampeve, burgjeve dhe internimit.
20 shkurt gjithnjë do të jetë burim frymëzimi për lirinë dhe demokracinë.
Ndaj sot kjo ditë duhet të na frymëzojë edhe më shumë për të përmbysur bijtë e etërve komunistë, si e vetmja shpresë për vendin.