Arrestimet e ditëve të fundit kanë shkaktuar ditën e djeshme debate shumë të forta në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste. Gjatë paradites së djeshme, kryeministri Edi Rama mblodhi deputetët në ambientet e selisë së Kryesisë së Kuvendit për të diskutuar mbi paketën antishpifje dhe bastet, por nuk munguan debatet për arrestimet e ditëve të fundit. Të dielën u arrestuan dy ish-deputetë të PS, Arben Çuko dhe Arben Ndoka, e kjo nuk u kalua qetë nga socialistët. Burime shumë të sigurta i pohuan gazetës se disa deputetë janë rebeluar ashpër ndaj kryeministrit, pasi sipas tyre, nuk po veprohet drejt me gjithë abuzuesit në administratë.
Mësohet se në debat e sipër, një pjesë e deputetëve të PS janë shprehur hapur se nuk janë kundër arrestimeve të ditëve të fundit dhe goditjes së korrupsionit në radhët e Partisë Socialiste, por ia kanë bërë të ditur shefit të qeverisë se nuk mund të flitet për sukses, në një kohë kur shumë drejtorë të LSI që kanë abuzuar nuk janë arrestuar. Po ashtu, mësohet se deputetët kanë shfaqur rezerva, pasi sipas tyre, në shumë drejtori që ka abuzime, janë ende drejtorët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe militantë të kësaj partie, të cilët shfrytëzojnë lirshëm postin, duke kërkuar që të dalin para drejtësisë.
Madje, gazeta mësoi se ligjvënësit socialistë i janë ankuar të parit të qeverisë duke u shprehur se në radhët e Partisë Demokratike nuk ka asnjë zyrtar që të ketë shkuar para drejtësisë, edhe pse gjatë qeverisjes së PD ka lulëzuar korrupsioni. “Ne jemi shumë dakord që të goditet korrupsioni në çdo nivel qoftë ai, qofshin këta zyrtarë apo drejtorë tanët. Por duket pak absurde, pasi shumë drejtorë të LSI që kanë qenë dhe që janë ende drejtorë, të cilët kanë abuzuar dhe kanë qenë të përfshirë në korrupsion nuk po japin llogari. Kur morëm mandatin ne u zotuam që “Tepsinë” do ta çojmë për skrap. Ku është sot tepsia, kur të gjithë militantët e LSI dhe drejtorët janë ende në punë?!
Askush nga zyrtarët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim të cilët janë akuzuar politikisht dhe janë gjetur me shkelje nuk ka dhënë llogari para drejtësisë për abuzimet që i kanë shkaktuar popullit! Kështu që është e udhës që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Mos harro z. kryeministër që përgjegjësi për abuzimet e drejtorëve duhet të mbajnë edhe ministrat”, mësohet të jenë shprehur disa deputetë.
Porositë e Ramës
Mbledhja e grupit parlamentar të PS ka vijuar më tej, teksa mësohet se kryeministri Edi Rama ka dhënë disa porosi për deputetët. Mësohet se kryeministri Rama ka porositur deputetët të mos mungojë asnjë në seancën e së enjtes ku do të votohet ligji për lojërat e fatit. Po kështu Rama iu ka kërkuar ligjvënësve socialistë të denoncojnë çdo shpifje. “Ligjin për lojërat e fatit do ta votojmë me shumicë dhe është i lutur çdo deputet t’i bashkohet votimit.
Të gjithë duhet të jeni në seancën e së enjtes për të votuar ligjin për lojërat e fatit. Asnjë të mos mungojë në seancën e së enjtes. Po kështu do ju kërkoja që të gjithë të denonconi çdo shpifje duke firmosur dhe kaq ka ekip që e ndjek”, mësohet të jetë shprehur kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste.
Kliti Topalli