Nga Prof.asoc. Panajot Barka
“Skandali” i financimit të mediave dhe gazetarëve shqiptarë, apo dhe të Kishës Ortodokse nga fondet e fshehta të Ministrisë së Jashtme greke, në rastin më të mirë përbën treguesin e qartë se në Shqipëri interesimi për të patur me Greqinë nje realitet marrëdhëniesh të acaruara është sfidues.
Së pari, për “skandalin” përbën lajm fakti i publikimit. Pra, përbën një realitet të njohur që nga lashtësia në marrëdhëniet dypaleshe dhe shumëpaleshe. Në këtë kuptim, edhe në Shqipëri, ashtu si në Greqi, Itali, Turqi, akoma dhe në SHBA, Rusi, Kinë etj, derdhen para të kësaj natyre nga vende apo institucione të tjera të huaja që duan të përmirësojnë apo të risin ndikimin e tyre me forma nga më rezultative për ta.
Kuptohet që një nga kanalet më të preferuara e zenë mediat. Ky realitet dhe ky qellim nënkupton dhe paratë e shumta që rrjedhin nga Shqipëria, drejt Greqisë, e që me kalimin e kohës janë më të prekshme (sidomos në sektorë më të qenësishëm se mediat).
Së dyti, çuditërisht paratë e ardhura nga Greqia “nga fondet e fshehta të Ministrisë së Jashtme greke” (institucion zyrtar shtetëror) u ngjajnë arrave që bëjnë zhurmë në enën e bakërt që ushqen ndjenjën e nacionalizmin në formën anti-helenizmit në Shqipëri.
Ndërsa po e njëjta formë parash që vijnë në Shqipëri nga Turqia, vendet arabe, Italia, SHBA etj, u ngjajnë fiqve, që nuk bëjnë zhurmë. Nuk bëjnë zhurmë dhe as provokojnë thirrje patriotike apo për rreziqe përmanente për integritetin e shqiptarëve paratë që vijnë nga organizata terroriste, ato që financojnë ekstremizmin fetar, armiqësinë me fqinjët etj.
Në Shqipëri përbën sekret publik financimi i mediave të njohura në vend, i politikaneve, i ministrave, i universiteteve private, i sekteve fetare nga shtete të ndryshme apo dhe nga organizata të dyshimta, dhe ato gëzojnë paprekshmeri absolute dhe respekt maksimal.
Dëgjohen prej tyre teza dhe thirrje që venë në dyshim fondamentin e historisë së popullit shqiptar, dhe po këto klane bertitngrenës i kanë kardhashë e vëllamër!
Së treti, zhurma nacionaliste në Shqipëri për financimet greke të kësaj forme, nuk duhet lidhur me publikimin e këtij fakti, pasi në një menyrë apo një tjetër, përbën, thamë, fenomen të njohur. Publikimi në përgjithësi (pa emra konkrete) i këtyre financimeve ishte pasojë e demokracisë pa kufi që manifestohet shpesh në Greqi, e cila kursesi nuk mund të justifikojë luftën dhe përplasjet e brendshme në qeverinë greke.
Fakti që u publikuan financimet që lidhen me dy fronte të angazhimeve më të mëdha personale të ish- ministrit të Jashtëm (Shqipërisë dhe ish R J të Maqedonisë) të konsideruara për të të suksesshme, e vërteton këtë konkluzion.
Nga ana e vet, zhurma patriotike në Shqipëri merret kryesisht me faktin e publikimt në Greqi të këtyre të dhenave dhe jo me kërkesën për emrat apo subjektet konkrete përfituese në Shqipëri, dhe si u përdorën ato. (ashtu si në Greqi nuk bëhet fjalë se sa justifikuan qëllimin për të cilin u dhanë këto para, por merren me faktin që pse u dhanë).
Askund dhe prej askujt në Shqipëri nuk thuhet qoftë edhe një gjysëm fakt se si këto financime greke dëmtuan interesat e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar (ndërkohë që ka me dhjetra fakte të tjera se si interesat e të tretëve e kanë marrë shpesh peng fatin e popullit shqiptar.)
Pra, mjegulla përbën mundësinë më të mirë për një zhurmë patriotike sipas efektit të iluzionit optik dhe jo realitetit konkret. Vetpërmbajtjen për të mos kërkuar apo publikuar emra konkrete, kuptohet, lidhet me faktin se një gjë e tillë do të shkaktonte një reaksion zinxhir pa kufi akuzash e kunderakuzash, nga ku do të rezultonin fole të shumta të bëra pis nga financime të fshehta të vendeve dhe organizatave të ndryshme.
Pavarësisht se pati nga ata që për të mbuluar veten si konsumatorë të mëdhenj të fondeve të tilla veprojnë sipas fjalës së urtë, që hajduti bërtet kapeni hajdutin.
Së katërti, mjegulla për të cilin flasim ka edhe një qëllim tjetër më të rrezikshëm. Duke u nisur nga imazhi i krijuar në Shqipëri lidhur me fonde të fshehta, para të pista, para që ushqejnë krimin etj, dhe roli apo qëllimi i tyre, bërtitngrenësit e tyre duan të justifikojnë, ose t’i japin “një argument të fortë” nacionalizmit të tyre të identifikuar si anti-helenizëm.
Ata kërkojnë të abuzojnë me paqartësinë e opinionit publik shqiptar, ose të indokrinuar nga sistemi komunist, për të indentifikuar tani shtetin grek (dhe jo sillogjet apo organizatat ekstremiste) me idetë aneksioniste ndaj Shqipërisë sipas modelit hoxhist.
Së pesti, bërtingrenisit e financimeve të fshehta të huaja ngatërrojnë qëllimisht destinacionin e këtyre financimeve greke me ato të burimeve të tjera. Siç pohojnë dhe vet kundërshtuesit e financimeve “të fshehta” greke, qëllimi i tyre është përmirësimi i imazhit të Greqisë në Shqipëri.
Kjo, aq sa është e vërtetë, aq është dhe e pranueshme dhe e ndërshme. Ky pohim zbulon nga ana tjetër faktin se dikush po financon struktura të ndryshme në Shqipëri për të prishur imazhin e Greqisë këtu. Të tretë paguajnë si për të forcuar praninë e tyre të paqenë në Shqipëri, ashtu dhe për të menjanuar dhe shkëputur marrëdhëniet diakronike kulturore midis dy popujve, shqiptarë dhe grekë (kush po e varferon dhe i prish identitetin e monumenenteve kulturore në jug të vendit?)
Paguajnë për mosarritje marrëdhëniesh të interesit strategjikë midis dy vendeve (flet qartë lufta epike e politizimit nacionalist për marrëveshjen e detit).
Paguajnë që të mbahet në këmbë një histori e shtrembëruar midis dy popujve. Paguajnë që të pengojnë integrimin e emigranteve shqiptarë në shoqërinë greke, paguajnë që të mbahen në këmbë histori nacionaliste të paqena….!
Në këtë ngatërresë të qëllimshme bërtingrenësit e financimeve të fshehta nuk arrijnë të venë re (nuk i lenë, ndoshta se janë pjesë e tyre) përmasat e financimeve të “fshehta” të të tjerëve në krahasim me ato greke. Janë si bualli me milingonën. Dhe këtu qëndron paradoksi tjetër. Frika e buallit!!
Së gjashti, mendoj se një e drejtë që u takon kritikuesve në Greqi të përdorimit të fondeve të fshehta të Ministrisë së Puneve të Jashtme të Greqisë, është fakti i efektivitetit të tyre në Shqipëri.
Ka abuzim dhe korrupsion, apo frikë dhe ngurim përballë anti-helenizmit ekstrem në media dhe opinion publik të kultivuar nga bërtitngrenësit e fondeve nga kanale të fshehta?!
Eshtë një fakt që flet shumë. Imazhi i Greqisë dhe i helenizmit në sistemin mediatik, bibliografik dhe të rrjeteve sociale, në mos është me shpatulla prej muri, është i mënjanuar, ndërkohë që ka një imazh tjetër, atë që ngrenë përditë kontaktet dhe marrëdhëniet e sotme njerëzore dhe historia midis dy popujve.
Çfarë do të ndodhte nëse shtohet dhe në këto struktura kontaktet në muzikë, në arte, në letërsi, midis dy popujve? Përse nuk përkrahen iniciatorët në këtë drejtim nga të dy anët? Çfarë do të ndodhte nëse do të kishim më shumë informacion pozitiv nga Greqia në të cilën banon një e treta e popullsisë aktive të Shqipërisë? A nuk do të ishte kjo një mundësi për integrimin e tyre më të mirë në shqoqërinë greke dhe një mundësi me shumë për të ruajtur identitetin e tyre atje?
Nëse pranohet p.sh akuza se Kisha Ortodokse shqiptare financohet edhe nga Greqia, a nuk duhet duhet falenderuar populli grek se kontribuon për ngritjen e të gjithë infrastrukturës së kësaj kishe që nga themelet, si kishë e re ortodokse shqiptare, ndërkohë që trashëgimia fetare ortodokse në vend që mban vulën greke lejohet të shkatërrohet?
Përse nuk mbahet i njëjti qëndrim armiqësor edhe ndaj investimit të Ankarasë për xhaminë më të madhe në Ballkan në qëndër të Tiranës, apo për qindra xhami të tjera anëkand vendit, apo për investimet e Vatikanit për Kishën Katolike?!
Shkruar për TemA