Kjo vjeshtë ka qenë një verë e dytë për bizneset e turizmit në të gjithë vendin për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, por bujtinat në veri të vendit në zonën e Valbonës kanë vënë drynin. Vizitorë ka ende, por fluksi i lartë tashmë ka kaluar ndaj llogaritë nuk dalin pas përfshirjes në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Nga dhjetëra bujtina dhe hotelet në zonë aktualisht janë të hapura vetëm katër prej tyre që kanë kapacitet të lartë akomodimi.
Disa nga administratorët e bujtinave të mbyllura thanë se nuk hapen para prillit-majit 2019, duke shpjeguar se do të konservojnë në status pasiv aktivitetin.
“Tani vizitorët janë më të rrallë dhe kryesisht fundjavave, ndaj bujtina ku punoj u mbyll për të evituar pagesat e energjisë, pagave të punonjësve dhe taksave të tjera”, tha Astrit Selimaj banor i zonës i punësuar në një nga restorantet e Valbonës.
Ai tha se përfshirja në TVSh dhe aksioni i tatimeve për kuponin tatimor ku u vendosen disa gjoba këtë vit i ka bërë bizneset me racionale në zgjedhjet e tyre. Për momentin zgjidhja më e mirë është mbyllja për 6 muaj.
Si rezultat i kësaj gjendje dje turistët nga Tirana e kanë pasur të pamundur të rezervojnë, pasi shumica e bujtinave janë mbyllur edhe pse koha për udhëtime është mjaft e favorshme.
Më herët në verë të këtij viti në kumin e sezonit turistik, shumë bujtina janë penalizuar nga inspektorët tatimore me shumë se sa për taksat për disa rregulla që kanë të bëjnë me mjedisin dhe shërbimet mjekësore ndaj klientëve.
Një nga bujtinat mori gjobë se nuk kishte një kontrate me mjek, ndërkohë që numri i turistëve dhe punonjësve ishte shumë i ulët se kërkesat që ka ligji.
Këto biznese e ushtrojnë aktivitetin në skajin më verior të vendit në një terren që krijon kosto për aktivitetin e tyre, shkruan ‘monitor’.
Largësia me institucionet e shtrembëron zbatimin e ligjit, ndoshta më shumë se kudo tjetër. Një nga hotelet është gjobitur për moslëshim kuponi, ndërkohë që në zonë nuk ka pasur furnizimin me energji për më shumë se 12 orë.
Larg gjykatave dhe pamundësive për të kërkuar drejtësi, ata kanë zgjedhur ti vënë drynin aktivitetit deri në pranverë. Vite e tjera bujtinat ishin të hapura gjatë gjithë kohës.