Partizani ka mposhtur Luftëtarin me rezultatin 2-1 në takimin e vlefshëm për javën e 9-të të Kategorisë Superiore.
Golat e Mensah dhe Telushit i dhanë fitoren skuadrës së Skënder Gegës që e mbyll fazën e parë në krye të tabelës. Shkurtaj barazoi shifrat në minutën e 40-të, por ky gol nuk mjaftoi që skuadra e Mezanit të largohej me pikë nga “Selman Stërmasi”.
Partizani e nisi ndeshjen më kërkues dhe u shpërblye në minutën e 21-të. Mensah shfrytëzoi një rrëmujë në zonën e bluzinjve dhe shtyu topin në fundin e rrjetës.
Skuadra e Mezanit nuk u dorëzua dhe me një kundërsulm perfekt vuri ekuilibrin me anë të Shkurtajt që finalizoi saktë një pasim të Radoviç.
Në fraksionin e dytë skuadrat nuk u pajtuan me rezultatin dhe nisën që të ngacmonin në portat respektive, por me vendasit që kishin më shumë iniciativë.
Partizani fitoi të drejtën për të ekzekutuar një 11-metërsh dhe Telushi nuk gaboi nga pak e bardhë e penalltisë. Në minutat e mbetura nuk pati ndryshim rezultati, por duhet veçuar se u rikthye në fushën e blertë Eduart Rroca, i cili zbret në fushë për të parën herë këtë edicion.
5 fitoret në 5 ndeshjet e fundit tregojnë më së mirë momentin e shkëlqyer që po kalon skuadra e Partizanit në kampionat.
Transfertat janë kthyer në një makth për gjirokastritët, të cilë kanë regjistruar 4 humbje në 4 ndeshje. Ditën e premte të kuqtë do të përballen me Skënderbeun, në supersfidën e javës së 10-të, ndërkohë që Luftëtari do të udhëtojë drejt Fushë-Krujës, për tu ndeshur me Kastriotin.