Një minutë, një minutë! Nuk mjafton një telajo, as një mur me grafite, e as ndonjë paragraf monton për fitoren e Shkëndijës ndaj Vardarit me rezultatin 0-2. Derbi i Maqedonisë është ngjyrosur sërish kuqezi. Tetovarët na kanë bërë sërish krenarë, pasi u kanë treguar Vardarit në stadiumin “Filipi II” se jo më kot janë kampionët dhe fituesit e Kupës së Republikës. Takimi i luajtur prej orës 14:30, të ditës së diel, ishte shumë i rëndësishëm për të besuarit e Qatip Osmanit.
Vardari vinte si kryesuesi i ligës me 23 pikë, ndërsa Shkëndija e dyta me 19 pikë. Ndasitë në stadium, para televizorit apo në të gjithë Maqedoninë janë të dukshëm, pasi fatkeqësisht kjo ndeshje del jashtë kontekstit të fushës së blertë. 90 minuta që marrin dhe ngjyrime politike, fatkeqësisht për mesazhet që duhet të transmetojë ky sport magjik. Të paktën, rezultati foli për shqiptarët.
Ekipi i Shkëndijës dominoi nga fillimi i takimit e deri në fund. Skuadra kampione gjeti përballë një ekip të frikësuar që nuk arriti në asnjë moment të binde në lojën e tyre. Izair Emini arriti t’i jepte epërsinë tetovarëve në minutën e 45’+1′ duke dërguar në pushim tetovarët në avantazhin e një goli. Pjesa e dytë fotokopje e 45 minutave të para, pasi në minutën e fundit të ndeshjes ishte Ibrahimi që dyfishoi dhe vulosi rezultatin në 0-2. Fitore e merituar!