Para ca ditësh u paraqit në prokurori lideri i opozitës, Lulzim Basha për të dhënë sqarime rreth padisë bërë ndaj tij nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për çështjen “Xhisiela”. Kjo thirrje e tij në prokurori, u trumbetua në disa media dhe nga disa liderë të opozitës si “skandal politik” e “presion ndaj opozitës!” E pse qenka presion apo skandal politik fakti se të thirr organi i akuzës, kur dyshon për shkelje të ligjit e për të bërë sqarime rreth së vërtetës, kushdo qoftë qytetari, e pavarësisht nga statusi që mban.
Para ligjit jemi të gjithë qytetarë të barabartë, ashtu ka thëne edhe vetë deputeti e lideri Lulzim. Kur është kështu, atëhere pse u dashkan mbajtur qëndrime të diferencuara, ndryshe për qytetarin e ndryshe për liderin. Kur organi i akuzës dyshon për shkelje ligji, të thërret dhe ti je i detyruar të paraqitesh, kushdo qofsh deputet apo ministër, opozitar apo gazetar, pasanik apo i varfër, plak e i ri, e askush të mos e quajë veten të pandëshkueshëm.
Vetëm një burrë ka këtu në Shqipëri që nuk njeh as ligj e as shtet, as prokurori e as gjykatë, as kushtetutë dhe qeveri, e ky mban emrin Sali Berisha. Por edhe Lulzimi, gjer tani mjaft i ka shpëtuar mrekullisht ligjit, duke iu fshehur herë pas petkut të pushtetarit e tani të opozitarit. Biles Lulzimi, tani duhet dënuar pikërisht se nuk po e kryen si duhet rolin e opozitarit para elektoratit që i beson me votë, por e përdor statusin e liderit për të mbuluar përfitimet e tij të paligjshme e nepotike.
Nëse opozitën e quajmë institucion të demokracisë, që i sigurohen atij disa garanci publike, atëhere kur Lulzim Basha si lider i opozitarizmit nuk jep alternativa në të mirë të popullit e nuk ndihmon seriozisht në integrimin e vendit në strukturat europiane, por merret me shpifje e thur skenare mafioze për ta marrë pushtetin me marifete karagjozësh, atëherë patjetër të mos presë vetëm ndëshkimin e sigurtë me votë siç e ka marrë vazhdimisht, por edhe ndëshkimin ligjërisht. S’ka gjë më banale e absurde, që liderët kryesorë të një opozite që ulëret se është “konstruktive”, për ditë e javë të tëra të merret e të bëjë opozitarizëm me një Xhisiela, që askush nuk e njihte jashtë fshatit të saj deri dje, dhe askush nuk e dinte se ajo ishte lidhur me një djalë deputeti!
Por, a e llogaritën këta lloj liderësh që hartuan skenare të tilla, se çfarë dhunimi i psikologjik i shkaktuan një vajze të thjeshtë!? Kur u dogjën kaq shumë Lulzim Basha e liderë të tjerë të opozitës për fatin e një vajze nga një fshat i thellë i Krujës, duke dalë dy herë në ditë në konferenca shtypi, kur si Xhisiela mund të ketë edhe dhjetra të tjera si “shamikuqja e Kamzës” të shantazhuara nga mëzetërit e Kamzës, apo bij pushtetarësh të ndryshëm pëdëistë, e këtyre farë liderësh nuk u është ndjerë zëri. Nëse Lulzim Basha do të vazhdojë të bëjë opozitë me Babale, me Xhisiela dhe me “xhixhilera” të tjera të këtij lloji, duke u munduar të ngrejë furtuna në gota uji, patjetër që përveç dështimit politik do të përballet edhe me ndëshkimin ligjor. Të tërheqësh vëmendjen e një publiku të tërë dhe të çoroditësh opinionin mediatik e politikën shqiptare për ditë të tëra, për një vajzë që pati probleme me të dashurin e saj, vetëm për faktin se ai është djalë deputeti, është më tepër se autoskandal për një opozitë, është vetëpranim i plotë i mungesë së alternativës. E çfarë alternative iu qas publikut në këtë rast, e çfarë të mirash përfituan shqiptarët nga ky lloj opozitarizmi i liderit Basha!?
E çfarë alternativash u ka shpalosur shqiptarëve një opozitarizmi i tillë “shpif e thur intriga” për drejtuesit e mazhorancës, herë me “Babale” e herë me dekriminalizim fals, herë me projektligje që “bëjnë” dekomunistizmin e herë me lajme të gënjeshtra për para të pista që “qarkullojnë me Toyta yaris”, përveçse kanë hedhur më tepër mjegullinë mbi varfërinë e shqiptarëve. Por duke mos patur fund asnjëherë skenare e deklarime të tilla “hidh e prit” politikanësh, mos vallë Lul Basha e suita që e ndjek pas mendojnë se meqë qenkan opozitarë, me ligjin mund të bëjnë ç’të duan e me shqiptarët mund të tallen pafundësisht!? Ngaqë na qenka opozitar Lulzim Basha, paska të drejtë të marrë shkrepësen dhe t’i vërë flakën çdo turre drurësh që i del përpara, e të baltosë çdo përfaqësues të mazhorancës që i del ballas, vetëm e vetëm për të fituar pak kredibilitet politik!? “Ky nuk është fundi i opozitës në Shqipëri, por fillimi i fundit i kësaj qeverie të inkriminuar”, deklaroi Lulzimi, sapo doli nga dyert e prokurorisë”. Kemi kohë që i dëgjojmë këto kërcënime prej kalamani të tij, e me to ai nuk tremb dot as laraskat në gardhet e arave të katundit, e jo më liderët e kësaj mazhorance, që ia ka vënë gjoksin reformave të vërteta.
Ne pyesim: Kush është dhe ku është opozita në Shqipëri, që do ta fundoska këtë qeveri “të inkriminuar” e “do të merrka së shpejti pushtetin”, se deri tani shqiptarët nuk e kanë parë gjëkundi! S’e kemi parë as në angazhimin e kryerjen e Reformës në drejtësi, që të shkallmojë korrupsionin që po u merr frymën institucioneve e shqiptarëve. Nuk kemi parë as qëndrimin e saj konstruktiv në parlament, ku shtrohen alternativa e bëhen debate për të mirën e shqiptarëve, e as në hartimin e projektligjeve për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, e askund tjetër ku nevojitet vërtetë opozitarizëm.
Lulzim Basha, pasi shfrytëzon opozitarizmin për të fituar personalisht e familjarisht, në mënyrë të paligjshme, pasi fiton kompensime e tendera miliona eurosh për rrethin e tij nepotik, kujtohet e hedh ndonjë fjalë për të thënë se bëj opozitarizmin. Po pse me thurje skenarësh mafiozë me Babale, me imitime zërash e interpretime klounësh, me akuza false e ingranime intrigantësh, me marrëdhënie konfliktuale çiftesh rrëzohet qeveria, e fitohen votat në popull!? Lulzim Basha ia hodhi bukur ligjit kur ishte pushtetar, e tani prapë mundohet t’i hedhë si opozitar. Si ministër i mazhorancës së djeshme shiti detin e vrau njerëz (demonstrues), vodhi Rrugën e Kombit dhe fjeti gjumë si kryetar bashkie deri në tejngopje, dhe nuk i hyri gjemb në këmbë.
Tani bën shpifje e skenarë mafiozësh, e prapë nuk duhet t’i nënshtrohet ligjit se qenka “lider opozitar”. Deri tani, opozitarizmi i Sali Berishës pati treguar me vepra se ishte i tritolit dhe i terrorit, kurse opozitarizmi i Lul Bashës e ka shfaqur fytyrën e tij si i shpifjes e intrigës, ndaj dhe duhet shumë kohë të hiqet epiteti “opozitarizmi i Babales”, që ai i vuri vetes. Dhe këtë farë opozitarizmi të PD dhe Lulzim Bashës, e sheh edhe zoti edhe robi. Por nëse Lulin e ndëshkon zoti që “beson Salianji”, patjetër që do ta ndëshkojë përsëri edhe populli me votën e tij, që mbështet e beson Edi Rama dhe Taulant Balla…/Nga Ramazan SHERJA