Zakonisht ndryshimet e thella dhe mendimi ndryshe vijnë nga qendrat e mëdha, metropolet. Dhe kjo nuk është pa arsye. Atje është përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë, ekonomisë, administratës, kulturës, intelektualëve, studentëve, rinisë, traditave. Këto qendra janë laboratorët e zhvillimit të ideve dhe mendimit progresiv. Dhe kështu nuk ndodh vetëm tek ne po në tërë botën. Në historinë tonë të viteve të fundit, lëvizjet përgjithësisht kanë nisur nga Tirana, metropoli shqiptar, kryeqyteti i Shqipërisë. Jo më kot. Këtu marrin jetë nismat dhe iniciativat mbarëkombëtare, ritmet e zhvillimit dhe natyrisht këtej nisin edhe ndryshimet e thella shoqërore, sociale e politike.
Ishte Tirana, vatra ku tri dekada më parë u përmbys sistemi komunist dhe lindi pluralizmi i shoqëruar me lindjen e partisë së parë opozitare dhe diktatura pas përmbysjes i la vendin demokracisë funksionale, e cila prej vitesh ecën përmes thellimit dhe ndryshimit edhe pse mes vështirësish dhe pengesave të panumërta. Po edhe pse metropoli ka peshën kryesore të ndryshimeve të thella, kjo nuk përjashton rëndësinë e lëvizjeve në qytete të tjera, zonat skajore të vendit. Kujtojmë këtu revoltat në qyteza e krahina të ndryshme të vendit gjatë historisë sonë shumëshekullore. Të tilla nuk mungojnë që nga qëndresat në Vlorë, Kryengritja e Fierit, Marrëveshja e Mukjes, këtij fshati të vogël në periferi të Tiranës. Konferenca e Pezës. Prej këtyre shembujve tregohet qartë se nuk ka rëndësi territori dhe madhësia e qyteteve ku nisin ndryshimet, lëvizjet kombëtare për thellim të demokracisë dhe rilindja e përsosja e forcave politike që janë faktorë të pazëvendësueshëm të një shteti demokratik.
Se siç ka shkruar Noli i madh: “Dhe i vogli shtrin viganin”. Në këtë rrafsh nuk ka qytete të mëdha e të vogla sa i takon lëvizjeve që sjellin ndryshime të thella. Po kështu nuk është e thënë që nismat për ndryshim ti iniciojnë vetëm figura të njohura, ata që kanë kontribute në lëvizjet e mëdha. Nismëtarë mund të bëhen edhe individë të zakonshëm, mjafton që të kenë kulturën e nevojshme dhe guximin për të vepruar. Pikërisht këtë herë i takon ish kryetarit të PD për Kukësin të kërkojë me forcë ndryshim radikal brenda PD-së, demokratizimin e saj, një forcë politike me orientim të qartë, një fuqi ndryshimi për të merituar me votë pushtetin në të ardhmen.
Zoti Elezi, ish kryetari i PD së Kukësit, i njohur nga fjalimi që tronditi lidershipin e kësaj force politike në Pallatin e Kongreseve një vit më parë me kritika të ashpra ndaj kryetarit Lulzim Basha, pasi priti reflektim të partisë ku bën pjesë dhe pasi u bind se asgjë nga ato që shpalosi në fjalimin e tij që u prit me emocion nga një pjesë e militantëve dhe u anatemua nga shumë prej tyre si një provokator nga brenda, doli përsëri në skenë. Këtë herë me nismën: “Axhendë patriotike antistabilishment dha antisoros për shpëtimin e PD dhe Shqipërisë”. E shtunë 20 tetor, ora 11.00 në mjediset e “Art Kafe Valdrin”. Pjesëmarrja e lirë. Me fjalë të tjera, të gjithë ata në qytetin verior apo kudo nëpër Shqipëri që u ka ardhur në majë të hundës me politikat e sherrnajat e partisë më të madhe opozitare, janë të ftuar të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje.
Nuk ka rëndësi sa dhe ku do shtrihet një lëvizje e tillë, a do jetë e mundshme të sjellë ndryshime të mëdha të shkaktojë tërmet në kupolën e PD-së apo do të mbetet në kuadrin e dëshirave dhe pasionit të atyre që kërkojnë një opozitë të fortë mbështetur në parime e norma që respektojnë demokracinë dhe jo përjashtimin e atyre që mendojnë ndryshe siç ka ndodhur deri tani, ku shumë prej figurave themeluese të saj janë nxjerrë jashtë loje. Elezi mund të mos jetë figura më e njohur në PD. Ai mund të mos ketë peshën e liderëve të kësaj partie, karizmën e Berishës, elokuencën politike të Topallit, erudicionin e Mustafajt, mprehtësinë polemizuese të Patozit apo karizmën e Majlinda Bregut e shumë figurave të kësaj force politike që kanë bërë historinë e saj ndër vite.
Po ai ka atë, që shumë të tjerë nuk e kanë. Shpirtin kritikë dhe etjen për ndryshim. Zoti Elezi mbahet mend nga të gjithë për qartësinë e guximin në fjalën e tij në Pallatin e Kongreseve ballë përballë drejtuesve të kësaj force politike. Ai ua përplasi në fytyrë të vërtetat dhe plagët, nga të cilat vuajnë partia ku militon. E bëri këtë përballë lajkatarëve të shumtë me kurajo dhe guxim. Ishte i vetmi kundër rrymës që dha një mesazh të drejtpërdrejtë në një kohë kur të tjerët i bënin fresk dhe qejfin kryetarit. Po atëherë deklaratat e tij u anashkaluan, u përbuzën dhe u lanë në hije si të parëndësishme. U panë si fjalë të thëna nga një periferik. U quajtën diversion. Po do donim që në të gjitha partitë tona politike të kishin nga një diversionist si Elezi për të trazuar ujërat e dendura për t’u kujtuar kryetarëve të partive se ku u pikon çatia dhe se janë edhe ata qenie njerëzore dhe nuk janë Mesia. Po deklaratat e tij nuk u vlerësuan pasi i tha sipas lidershipit një anonim, një ish kryetar i qejfmbetur, inatçi, hakmarrës si i pavlerësuar nga drejtuesit e rinj të PD-së. U denigrua si një individ që nuk ka tagrën të flasi në emër të opozitës dhe nga shumë prej atyre që ishin në atë sallë u quajt njeriu i kundërshtarëve politikë. Në realitet, Elezi nuk ishte një instrument që i shërbente dikujt.
Ai i shërbente modernizmit të partisë qoftë edhe si një zë kritikë. Edhe nëse foli për të shpëtuar shpirtin dhe ndërgjegjen e tij për gjithçka me të cilën nuk ishte dakord dhe që e kundërshtonte si të papërshtatshme në politikën e opozitës. Ishte kundër qurravitjeve dhe aksioneve minore, pa peshë të opozitës. Ishte kundër cic-miceve brenda partisë dhe shmangies së figurave emblematike, duke i zëvendësuar me ca rishtarë që e kanë njohur këtë parti nga lajmet televizive, kronikat ose që të vetmen meritë kishin se janë bij të ca lajmësve në shtyp. U vlerësuan në emër të baballarëve dhe jo të personalitetit të tyre. Individë pa kontribute, pa individualitet që nuk e njihnin ADN-në e saj, historinë si lindi, si rezistoi dhe nuk u bënin pjesë në historinë e saj me kontribute. Ajo që bëri Elezi në fjalimin e tij të thjeshtë ishte vetëm fillimi. Dhe nuk ishte një rastësi që shpërtheu brenda sallës së demokratëve. Ishte një paralajmërim për ku shkonte partia ishte zëri i një njeriu që e njihte shtëpinë nga brenda. Ishte dhimbja dhe dashuria për partinë ku kishte noterizuar ëndrrat e veta si mijëra të tjerë.
Dhe nuk ishte as plangprishës as keqdashës i partisë ku bënte pjesë. Përkundrazi e donte dhe ndaj i zbuloi të metat që ka shfaqur në këto vite në opozitë. I erdhën në majë të hundës humbjet e njëpasnjëshme. Dhe mburrjet se do e përmbysim këtë mazhorancë. Premtimet bombastike me aksione që do rrëzojnë në 12 muaj të vitit qeverinë. Ai u ngrit kundër përfshirjes së partisë në aksione pa sens, bazuar në akuza pa bazë e të paprovuara asnjëherë. Elezi nuk është dakord që partia ku militon, të eci sipas mendësisë të merret me ç`ti dalë përpara. Të eci pa program e platforma që të kenë në qendër popullin. Ndaj sot hodhi idenë e një partie ndryshe, vërtetë demokratike me politika të qarta të mirëstudiuara dhe të mirëpërcaktuara. Sipas tij të arrihet kjo kërkohet largimi i Lulzim Bashës. Shkurt, atë që kërkon Lulzimi përditë nga selia e PD-së për Ramën me një ndryshim thelbësor se ai është në krye të një force tjetër politike. Ish kryetari i PD-së Kukës kërkon largimin e menjëhershëm të Bashës.
Dhe jo vetëm të Bashës, po edhe Bashëve të tjerë që nuk e meritojnë të drejtojnë PD-në. Edhe pse kërkesa e tij për largim të Bashës niset nga arsyetimi se është njeriu i Sorosit, ai shkon shumë më larg dhe vë në dyshim politikën e partisë nën drejtimin e Lulzim Bashës, të cilin e vlerëson me notat më negative. Zëri i Elezit vjen nga një zonë ku PD është në shtëpi të vet me mbështetje të gjerë i vetmi qark fitues dhe ka pasur gjithnjë mazhorancën në zgjedhjet vendore e ato për deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Është kjo arsyeja që ai flet me zë të lartë dhe kërkon një PD ndryshe, më patriote, me individë që ta udhëheqin me guxim e të arrijnë të bindin elektoratin për ta votuar se nuk është sherri që të jep pushtetin, por vota e popullit. Në optikën e Elezit, lidershipi i PD-së s’garanton fitore me zgjedhje të ndershme. Dhe këtë, ai e ka deklaruar në mes të delegatëve nga e tërë Shqipëria kohë më parë. Thirrja e Elezit drejtuesve të PD-së mund të vlerësohet si një zë në periferi. Ai vetë mund t’u duket si një Donkishot i kohëve moderne, një hiç, një ngatërrestar që kërkon privilegjet e humbura. Mund të shikohet si një përpjekje minore dhe e izoluar.
Po jeta ka treguar se nga periferia shumë herë vijnë sinjale të fuqishme që nuk duhen nënvleftësuar. Qeveria e Shqipërisë e provoi këtë në fillim të këtij viti, ku u detyrua me të drejtë të rishikonte një vendim të saj për koncesionin e “Rrugës së Kombit” dhe tarifat që duheshin paguar. Kuksianët i dhanë qeverisë një leksion të vërtetë transparence. E detyruan të ndryshojë tarifat. Të dëgjojë zërin e tyre dhe bëri një hap të rëndësishëm pas konsultimeve të shumta me qytetarët e bizneset, të cilat ndikuan në një vendimmarrje të drejtë. Dhe kjo u arrit falë protestës kuksiane. Edhe pse brenda saj pati dhunë. Qeveria dëgjoi zërin kuksian. Edhe pse është në pushtet nuk zgjodhi forcën as imponimin. Po mirëkuptimin. Po PD dhe lidershipi i saj, a do ta dëgjojnë këtë zë? A do ta marri seriozisht lidershipi zyrtar lëvizjen nga Kukësi, që faktikisht u ndez në sallën e kongreseve një vit më parë?
Si do reflektojë Lulzim Basha? A do heshtin antikonformistët brenda partisë, ata që shkruajnë në facebook apo deklarojnë nën zë qëndrimin ndryshe në kundërshtim me politikat e liderit Basha? A do vihen edhe ata në krah të thirrjes së ish kryetarit kuksian? Apo do ta lënë në vetminë e tij dhe do heshtin? Në lidhje me këtë thirrje, në provë janë këto ditë Patozi e Topalli, Mustafaj e Imami. Ata mund ta lënë atë një zë të vetmuar. Të mos i japin mbështetje të mos e përfillin. Mund të vijojnë të bëjnë deklarata pafund. Po nuk mund të bësh politikë me deklarata të tipit: Pushteti nuk merret në tavolinë as jepet në tavolinë. Është koha që Elezi nga Kukësi të merret seriozisht në PD. I pari që duhet të trembet është Basha. Të dëgjohet fjala dhe të kuptohet mendimi i tij. Thirrja për një ndryshim radikal të politikave të partisë më të madhe në opozitë është në rend të ditës. Se këtu nuk është fjala për një kryetar tjetër apo të mbetet ai që është. Kjo i përket anëtarësisë së kësaj force politike të vendosë. Ata janë vendimmarrësit. Po vetë PD, organet e saj drejtuese duhet të ngrihen së paku në lartësinë e idealeve të dhjetorit dhe ta dëgjojnë Elezin e Kukësit. Ta marrin seriozisht thirrjen e tij për ndryshim radikal të politikave në PD! Pse jo, edhe për ndryshimin në lidershipin e saj siç kërkon ai. /Nga Bardhyl BEJKO