Nick Clegg, 51 vjeç është zv/presidenti i ri për çështjet globale në Facebook. Ish zv/kryeministri i Anglisë do shkojë në Silicone Valley në Kaliforni në muajin janar për të udhëheqëur punët globale dhe të merret me çështjet e komunikimit global të rrjetit social Facebook.
Clegg ka konfirmuar lajmin për mediat, teksa thotë se ndihet shumë i kënaqur që po i bashkohet ekipit të Facebook.
“Pas 20 vitesh në politikën evropiane dhe britanike, kjo është një aventurë emocionuese për mua”, citohet të ketë thënë Clegg nga Metro. “Duke folur me Mark Zuckerberg dhe Sheryl Sandberg këto muajt e fundit, kam marrë mesazhin se kompanisë i janë shtuar përgjegjësi të reja, jo vetëm për përdoruesit e Facebook, por edhe për shoqërinë në tërësi. Unë shpresoj se do jem në gjendje të luaj një rol të rëndësishëm në këtë udhëtim të gjatë”.
Clegg shton se përvoja e tij si politikan dhe person publik do e ndihmojnë kompaninë që të vendosen rregulla më të forta mbi mbrojtjen e të dhënave private, kapjen e lajmeve të rreme dhe sulmet e mundshme nga hakerët. Clegg do shkojë në SHBA me gruan e tij Miriam dhe tre djemtë. Megjithatë ai pranoi se ishte e vështirë të largohej nga Anglia në mes të procesit të Brexit.
“Si dikush që ka kaluar një jetë duke argumentuar për angazhimin e Anglisë në Europë, është sigurisht e dhimbshme që më duhet të largohem nga debati publik në një kohë kur negociatat e Brexit nuk kanë përfunduar.”
51-vjeçari, i cili udhëhoqi Partinë Liberal Demokrate mes viteve 2007 dhe 2015, humbi vendin në parlament në vitin 2017