Publikimi i video-skandalit gati një javë më parë solli një uragan reagimesh nga qytetarë, por edhe tronditi selinë e demokratëve, e cila u përpoq ta kalonte gjithçka në heshtje. Lulzim Basha, gjatë gjithë javës së shkuar, qëndroi vetëm një ditë në Shqipëri, duke u përpjekur të shmanget nga ky komunikim dhe duke tentuar që gjithçka ta lërë në heshtje. CNA.al komunikoi me zyrtarë të lartë në PD, të cilët thanë se gjithçka ende nuk është mbyllur.
Ka pasur një takim të mërkuren Basha-Grida Duma, dhe pas këtij takimi kreu demokrat është larguar jashtë vendit. Sot pritet që disa sekretarë të PD ti kërkojnë një takim Lulzim Bashës dhe të diskutojnë pikërisht në lidhje me video-skandalin. I vetmi që reagoi publikisht kundër atij video-skandali ishte sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani, i cili kërkoi transparencë dhe e quajti skandaloze videon.
Ristani është i vetmi zyrtar i lartë që u shpreh publikisht, ndërsa në redaksinë e CNA.al kanë ardhur dhjetëra e qindra reagime nga politikanë të të gjitha niveleve, të cilët e shohin atë video si një perversitet të turpshëm në parlamentin shqiptar dhe shumica bëjnë përgjegjës kreun e PD, Basha, i cili ka çuar në listat e deputetëve personazhet e përfshirë në skandal.
Deputeti Ervin Salianji nuk ka reaguar pas hapit të tij në emisionin “STOP”, transmetimi i të cilit u bllokua nga Lulzim Basha. G.D. kishte në anën tjetër të komunikimit të deputetit, dhe është asociuar nga disa media me Grida Dumën. Kjo e fundit nuk ka bërë asnjë reagim, dhe është sjellë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Përkundrazi ka dalë në disa ekrane televizive në debate dhe gjithçka po e trajton me mospërfshirjen e saj duke kryer aktivitet të rregullt politik, megjithëse edhe për përfshirjen e emrit të saj ajo nuk ka bërë ende asnjë reagim.
Të dy deputetët, të enjten e shkuar ishte parashikuar të flisnin në seancën parlamentare, por ata e tërhoqen emrin në momentin e fundit, edhe pse një ditë më parë kishin konfirmuar se do të diskutonin.
Sot pritet që Basha të zhvillojë takime me disa drejtues të rëndësishëm të PD-së, të ketë konsultime të mëtejshme për një vendim final ndaj deputetit Salianji, duke tentuar disa masa ose vazhdimin e heshtjes, e cila po i kthehet në një bumerang ciklik Partisë Demokratike.