Deri në fillim të vitit që shkoi, mund të gjeje pika karburanti me çmimin e naftës nën 160 lekë për litër. Tani ekziston frika se çmimi do kapërcejë 200-lekëshin. Foto: Denis Tahiri (shkurt 2018)
Me gjithë frikën se do vejë 200 lekë litri, karburanti edhe shitet nën kosto, edhe të prish motor
Nga Denis Tahiri, Geri Emiri
“Ai (burri aty) ka harxhuar qimet e kokës nga nafta e keqe! Me atë ke punë,” thotë Altin Shehu, që ka 24 vjet që bën linjën Berat – Tiranë, dhe gjashtëdhjetë litrat e naftës që i duhen për ditën i merr me 166 lekë litrin. “Nuk e ndjen cilësinë e naftës ky i imi (një Setra), se është i vjetër.”
Ai (burri aty) është një 69-vjeçar i fortë të cilin po e çon në parkim, bashkë me shofer e me pasagjerë, një autobuz me karroceri të lëmuar dhe të shkëlqyeshme gri. Thoma Ziu bën pjesë në një shoqëri transporti udhëtarësh të quajtur “Mangalem sh.p.k.”, e cila lidh Beratin me Tiranën — tridhjetë pronarë autobuzësh aksionerë në një kompani.
Atë moment në atë vend, në Terminalin e Autobuzëve të Jugut në kryeqytet, mes aksionerëve ka nga ata që e tregojnë Thomain me gisht, sepse ai ndoqi porosinë e qeverisë për të hequr furgonat dhe për të mbajtur vetëm autobuza prodhim i 2000-shit e lart.
“Jam penduar që e bleva!” thotë, pasi autobuzi i zë minder, pasagjerët zbresin të gjithë, dhe ai pas tyre. Rregullorja e qeverisë u harrua, thotë, komunat shtuan licensat e transportit, dhe furgonat 20-vendësh quhen autobuzë dhe vazhdojnë dhe e bëjnë rrugën, duke u pakësuar punën të gjithëve, dhe “po rrihen sot me grushte.” Dhe kështu, Thoma Ziut i ngeli në dorë një elegancë franceze me dizajn italian e 2003-it me emrin Irisbus.
“Mu desh t’i ndërroj katalitin,” shfryn. Kataliti është një llamarinë petashuqe me filtra gazi, nën marmitë të motorit të makinës, që ka në dorë ta kalojë apo të ngelë në klasë ç’karburant qarkullon në këtë vend. Ç’vrer mban të tretur nafta, ja lë katalitit dhe e bllokon.
Por shoferët e autobuzëve thonë se mosha ja kamuflon makinës hilet e naftës. Të vjetrat e tresin dhe atë të keqen, duke bërë puf nga problemet e tjera që u kanë sjellë vitet e gjata të përdorimit, kurse ato të rejat duan karburant të mirë.
Dhe të gjithë presin që çmimi të vejë në 200 lekë litri shumë shpejt.
Defektet e automjeteve ngelin në klasë cilësinë e naftës!
Dhe kjo ndodh me gjithë faktin që në këtë vend një litër shitet shumë pranë kostos, aq pranë sa të bën habi se si i del qari këtij biznesi. Sado që të ankohen shoferët se sa ka i vajtur çmimi naftës, ai çmim do duhej të ishte edhe më e lartë me shpenzimet që ka një pikë karburanti. Po t’i biesh lapsit e të llogarisësh çmimin me të cilin vjen në Shqipëri — që, tek 68-lekëshi, këtë periudhë ka qenë stabël — e t’i shtosh akcizën, taksën e qarkullimit, marzhin e shitjes me pakicë, taksën direkte mbi tregtuesin, taksën e tabelës në shtyllë dhe atë të kasës në zyrë, mes të tjerash, dhe të gjitha këto t’i përmbledhësh me një TVSh, litri duhet të vente afër 190 lekëshit. Dhe në fakt, mesatarisht është 178.
Kjo, pa llogaritur fitimin e pikës së karburantit.
“Qeveria e përdor energjinë për të shtuar të ardhurat në buxhet,” thotë Zef Preçi, i cili drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike, një organizatë joqeveritare. “Ajo nuk balancon midis taksave specifike të karburanteve dhe taksave për të ardhurat në buxhet.”
Është ora një e drekës në të nxehtë shtatori. Në sheshqëndrim ngrihet pluhur nga autobuzët që hyjnë e dalin. Setra të viteve 90. Mercedesë me shirita të bardhë krem dhe të kaltër që duhet t’i kenë bërë copë rrugët e Greqisë para se të jenë ngjitur deri këtu. Biles edhe një BredaMenarinibus, që s’prodhohet që prej 1994-ës.
“Të rrallë janë ’95-a e lart,” thotë Ziu. “Nga ’89-a e poshtë janë kryesisht. Edhe halli i cilësisë së naftës është, se bllokohen këta të rinjtë. Se nga 2000-a e këtej janë me sensorë.”
“Atij ja ndjen shpejt naftën motorri,” thotë Shehu.
S’përbën Ziu ndonjë rast i veçantë që ta ketë pësuar nga nafta në këtë vend. Po të kesh çuar ndonjë herë makinë për servis, problemet që sjell nafta e keqe e t’i rradhit mekaniku (“blozë!!! mazut!!!”) të mbushin një kodik dhe një sixhil.
Por në shumë zona të vendit — kryesisht të aksit Fier – Lezhë — pranverën që shkoi naftë mund të gjeje edhe me 151 lekë litrin. Naftë me 170 lekë e poshtë litrin kemi gjetur në katër vende në autostradën Tiranë – Durrës në shtator.
“Nuk ka pasur ankesa specifike për vlerësim të situatës për operatorë të cilët operojnë me çmime nën vlerën e tregut apo lidhur me aplikimin e çmimeve të tilla grabitqare nga ana e subjekteve që operojnë në treg,” komenton Autoriteti i Konkurencës. Gogësimë.
Të parët në rajon për çmim karburanti
Për shkak të kësaj barre taksash, përjashto Greqinë, e cila është në Bashkim Evropian dhe për shkak të mëkateve që e çuan në krizë ka ulur ndjeshëm evazionin fiskal, Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve në rajon. Greqia e ka diçka tek 190-200 lekëshi për një litër nafte. Në Kosovë e gjen me 150 lekë, në Maqedoni 152 dhe në Mal të Zi 166. Të treja këto vende kanë bërë të mundur figurën e tregtarit të vogël nga Shqipëria që bën një xhiro andej, e pastaj shet naftë me shishe koka kole në Koplik a Kukës, apo si ajo vetura e cila, të hënën e parë të këtij tetori, iu afrua furgonit të linjës Tiranë — Peshkopi në Maqellarë, e bëri të ndalë, i vuri hinkën dhe ia shprazi bidonat e naftës që kishte sjellë nga Maqedonia drejt e në serbator. I marrin me 100 lekë andej dhe i shesin me 140, thonë shoferët.
Dhe ndodh kështu megjithëse bashkë me Rumaninë, Shqipëria është i vetmi vend përqark që nxjerr naftë. Atyre 480 mijë mjeteve motorike që ka vendi — 437 mijë automjete dhe 7000 autobuzë ndër to, sipas Institutit të Statistikave — motorët u shkunden.
Edhe një herë: Një litër naftë hyn në Shqipëri me çmim prej 68 lekësh litri, ndërkohë që deri në momentin që përfundon te unë e tek ti, këtij çmimi i shtohen kosto të tjera. 37 lekë është akciza, dhe 27 lekë të tjera taksa e qarkullimit dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Tregtari paguan edhe taksa direkte — taksa vendore dhe tatim-fitimi — të cilat shkojnë në 9 lekë —, ndërkohë që kostot operacionale të shitjes me pakicë: transportin, mirëmbajtjen e pikës së karburantit, ujin, dritat, e rrogat e punëtorëve, Pano Soko, një njohës i sektorit të naftës, i llogarit në 17 lekë. TVSh-ja mbi këto vete 26,8 lekë dhe totali rrumbullak 187,8 lekë litri (Shih ilustrimin në grafikun më poshtë).
Televizioni ekonomik Scan, që harton një ‘bursë karburantesh’, nuk e ka nxjerrë më pak se 160 përpara se t’i shkojë pikave të karburantit. Edhe një njësi ekonomistësh në Shtetet e Bashkuara që përmbledh të dhënat e tregëtisë globale e nxjerr çmimin e naftës këtu më të lartë nga ç’e blejmë. Në faqen e tyre të internetit, Global Petrol Prices, çmimi, që e nxjerrin nga të dhëna zyrtare, luhatet në 1,65-1,68 dollarë amerikanë, 179-182 lekë.
“Më i larti në rajon… ndër 25 vendet me çmimin më të lartë në botë,” thotë Gjergj Buxhuki i Konfindustrisë në email-deklaratën e së dielës. Dhe karburantet pastaj, shton ai, janë “janë në shumicë jashtë standarteve,” duke bërë beterr një gjëndje të keqe.
Si rezultat, hilet për të nxjerrë fitimin me një çmim nën kosto mund të jenë të shumta. Ka dyshime se pompat kalibrohen që të të japin, të themi, 0,95 litra naftë kur të betohen, pa iu bërë tërr indikatori i pompës, se të kanë dhënë një litër fiks. Një specialist i sektorit të thotë nën zë se nafta që sillet këtu shpesh deklarohet me fuqi djegëse më të lartë nga ç’është, që i bie të jetë blerë nga importi shumë më lirë e të jetë deklaruar e blerë më shtrenjtë. Thuhet edhe se nafta bruto e nxjerrë në zonat e Patosit dhe Fierit qëllon të përzihet me furnizimin e pikës së karburantit.
Disa mostra të çuara për analiza vitin që shkoi nga Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore konfirmuan pikërisht ato probleme në cilësi.
Autobusi është autobus dhe është për popullin. Vetura është për shtëpi dhe është vitrinë, dhe është tjetër hesap. Mercedesit të vet të 2004-ës, Altin Shehu thotë se i jep naftë që e merr me 184 lekë litrin.
E pra, me 176 lekë litri e merrte naftën Thoma Ziu dhe i shkoi “3000 euro bashkë me katalit.” Tani e merr mesatarisht me 181 lekë. “Cilësi të mirë thonë se kemi,” thotë. “Po se mos jam laborator unë që të mas naftën qysh është.”