Në një farë mënyre ka zëvëndësuar Saimir Tahirin. Edhe pse pa ndonjë post ekzekutiv, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së është shndërruar në shënjestrën e opozitës, si dikur ish-ministri i Rendit në hetim.
Me dhjetra konferenca shtypi e qindra deklarata që shoqërojnë akuzat zinxhir, Balla tashmë shfaqet dhe grafikisht me portretin e tij në qendër, rrethuar nga personazhe me damkë, diktuar nga akuzat e opozitës.
Ndryshimi me Tahirin është vetëm tek hazër-xhevapi i Ballës për të reaguar me padi penale ndaj çdo akuze.
Ndërkohë, nga media i shigjetohet gjithnjë një pyetje: përse ti?
Të martën në mbrëmje, kjo pyetje iu bë Ramës në Dritare, se pse Balla e jo Majko?
Të mërkurën, po e njëjta gjë në Opinion, por me ndryshim personazhi. Mentor Kikia e pyet: pse ti e jo Musa Ulqini? Ngjashëm i drejtohet dhe Fevziu.
Është ndër ato pyetje që turpëron gazetarin që e formulon, gjithnjë kur është fjala për një rast të tillë, ku përgjigja në fakt endet në ajër, e ai, porsi lajmi që nganjëherë e ka te hunda, nuk e kap dot.
Pse Balla e jo Majko, pse Balla e jo Ulqini? Sepse pesha politike e Ballës është e pakrahasueshme me kolegët e tij.
Balla është nr.2 i PS-së, me një protagonizëm permanent që në kushte opozite, pothuaj ka qenë violinë e parë e PS-së në të gjithë aksionin e saj politik.
Edhe sot, ai është zëri bazë i dytë i mazhorancës pas kryeministrit Rama.
Pra, i mirë apo i keq, simpatik apo antipatik, i ndershëm apo i korruptuar, parimor apo makiavelist, naiv apo inteligjent, ai mban peshën kryesore të mazhorancës dhe është për momentin një ndër figurat simbol të saj, pas shefit të ekzekutivit.
Ndaj, vala e akuzave ndaj tij është në kontekst, siç ishte dhe me Saimir Tahirin. Pos faktit të të qënit ministër Rendi, një pozicion ku ngërthehen interesa që e lidhin politikën me krimin me fije të nëndheshme, Tahiri kishte dhe një peshë politike jo të vogël në mazhorancë.
Ai konsiderohej si krahu i djathtë i Ramës. Mjaft të vërehet dhe rasti i Fatmir Xhafajt. Rritja e peshës politike, shoqëruar nga emërimi në krye të Rendit, e fut automatikisht në rrethin e kuq të opozitës. Xhafaj është në politikë aktive në mbi 15 vjet, por nuk janë mbi 15-vjeçare akuzat ndaj tij.
Si shembull mund të shërbejnë dhe Fatos Nano, Anastas Angjeli, Agron Duka, të demonizuar në ekstrem nga akuzat e opozitës në kushte pushteti e peshe politike. Sot ata, pa pushtet, ngjajnë si engjëj të pafajshëm.
Kështu që gazetarët që shtrojnë dilema të tilla për prezencën e madhe të Ballës në listën e zezë të opozitës, kanë të gjithë materialin e nevojshëm politik për të patur një përgjigje të arsyeshme, pa e turpëruar veten me një nivel kaq ulëritës naiviteti profesional.
Majko e Ulqini, sikur t’i kishin të gjithë të zezat, për vetë peshën e ulët politike, nuk ka asnjë gjasë të jenë në shënjestër.
Është një formulë e thjeshtë logjike që ta lehtëson mënyra se si PD e ka struktuar në vite llojin e të bërit politikë.
Është politikë për politikë!(Tesheshi)