Detaje të reja janë zbardhur nga përgjimet që ‘fundosën’ reperin e njohur, Stresin. Reperi është pjesë e një grupi të njohur kriminal në Tiranë dhe është mbajtur nën përgjim prej rreth një viti.
Report Tv raporton se Stresi është përgjuar teksa komunikon me disa persona të inkriminuar për trafikun e drogave.
Burime nga Policia pohojnë që në ditët në vijim do ketë arrestime të tjera në Tiranë, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal qe ishte Stresi. Ky grup dyshohet se vepronte me shitjen e drogës në zonën e ish-bllokut, por edhe ne perifieri të Tiranës. Policia po mban në vëzhgim edhe disa persona të tjerë.
Në momentin e arrestimit nga FNSH në Linzë, në periferi të Tiranës, iu gjet një sasi e vogël kokaine si dhe një armë zjarri pistoletë me 12 fishekë. Më herët, Gjykata e Tiranës kishte dhënë masën e sigurisë arrest me burg me kërkesë të Prokurorisë për reperin, i akuzuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Ndërsa grupi kriminal që vepron në Tiranës pjesë e të cilit dyshohet se është edhe Stresi, akuzohet për “trafikim narkotikësh” dhe “krimesh kundër personit”.
Në shoqërinë e Stresit ishte edhe një vajzë 20-vjeçare, e cila është shoqëruar në komisariat dhe pasi është marrë në pyetje është lënë në gjendje të lirë.
Arkimend Lushaj pritet të dalë nesër përpara Gjykatës së Tiranës, për t’u njohur me vlerësimin e masës së sigurisë. Kjo nuk është hera e parë që Arkimed Lushaj prangoset për mbajtje armësh pa leje, ai njihet edhe për përfshirjen e tij në sherre dhe konflikte të tjera.
Herën e fundit, Stresi ka përfunduar në prangat e policisë, ka qenë në 13 prill të këtij viti, teksa konsumonte kokainë në një lokal në Tiranë.
Ndërkaq, ai është arrestuar edhe disa herë të tjera, pasi qarkullonte me armë pa leje. Madje në disa raste reperi shqiptar i ka publikuar vetë foto me armë në rrjetet sociale, madje edhe duke bërë qitje si dhe duke qëlluar në ajër.