Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski thotë për Deutsche Wellen se partia e tij nuk do ta mbështesë marrëveshjen historike për emrin me Greqinë, që do të hapte rrugën e integrimit të Maqedonisë për në NATO e BE.
Në kohën që Parlamenti i Maqedonisë ka hyrë në ditën e tretë të debatit për të aprovuar apo jo marrëveshjen për ndryshimin e emrit, rezistenca e partisë opozitare nacionaliste, VMRO-DPMNE është ashpërsuar. Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski tha për Deutsche Wellen, se ai e konsideron marrëveshjen me Greqinë „të vdekur” dhe i kërkoi qeverisë të ndërpresë procedurën parlamentare. Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev aktualisht është duke punuar fort për të arritur shumicën me dy tretat që do të ndryshonte emrin e vendit në Maqedonia e Veriut, e që do të sillte ecjen përpara në integrimin në BE dhe anëtarësimin në NATO. Por Zaevit i duhet të bindë të paktën 10 deputetë të opozitës në një parlament prej 120 deputetësh.
Mickoski: Fajtori i vetëm – Zoran Zaev
I pyetur, nëse ka ndonjë shans që ai dhe kryeministri, Zoran Zaev të arrijnë një marrëveshje, Mickoski u tregua i pakompromis. „Edhe ky është një shans, pra të arrish në konkluzionin, se marrëveshja ka vdekur. Dhunimi i mëtejshëm i këtij procesi do të prodhojë vetëm tensione shtesë dhe polarizim në shoqëri, dhe fajtori i vetëm për këtë është Zoran Zaev, i cili premtoi diçka që nuk mund ta realizonte dot.”
Mickoski dhe partia e tij vendosën të abstenonin votën për referendumin e fundit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke e bërë kështu të pamundur arritjen e numrit të duhur të pjesëmarrjes së nevojshme 50%. Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchel ishte të martën nga të fundit pas shumë politikanëve të BE-së dhe SHBA-së që e nxisin Mickoskin të lëvizë nga pozicioni i tij. „Nuk do të jetë si një habi për ju, që ne kemi qenë të zhgënjyer me pozicionet e lidershipit të VMRO-DPMNE-së në lidhje me referendumin dhe hapat në parlament për të ndryshuar kushtetutën”, shkroi Mitchell dje në një letër personale për Mickoskin, që u bë publike nga ambasada amerikane në Shkup.
Letra ishte pak a shumë e njëjtë me kreun e partisë popullore europiane, Joseph Daul, i cili javën e kaluar deklaroi se ishte i zhgënjyer me qëndrimin e VMRO-DPMNE-së. Të dy politikanët i thanë Mickoskit se ai dhe partia e tij do të mbajnë përgjegjësinë për dështimin e marrëveshjes së emrit.
“Zaev pranoi diçka, që askush nuk kishte menduar ta pranonte më parë”
Por Mickoski kundërshton. „Përgjegjësia është e atyre që e sollën marrëveshjen të dështojë. Nuk është opozita që drejtoi negociatat, nuk është opozita që e rrënoi marrëveshjen, nuk është opozita që e theu procesin e referendumit. Por është qeveria ajo, që e drejtoi, e implementoi dhe shkatërroi procesin. Ai që duhet të mbajë përgjegjësinë është Zoran Zaevi. Ai i hyri një rruge aventure, arrogante, egocentrike pa përgatitur ambientin, duke pranuar diçka, që askush nuk kishte menduar ta pranonte më parë dhe shumica e njerëzve në të dy vendet e shprehën opinionin e tyre. Në Maqedoni kemi një referendum katastrofik, dhe në Greqi 70% të qytetarëve që nuk e pranojnë marrëveshjen. Një pemë e mbjellë keq do të rrijë shtrembër dhe do të kalbet”, tha Mickoski për Deutsche Wellen.
Kreu i opozitës konkludon, se ai dhe partia e tij nuk do të lejojnë „ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që të ndryshojnë emrin kushtetues të vendit”./DW