Këshilli i Lartë i Prokurorisë rrezikon të mbetet i bllokuar për shumë kohë. Kushtetuta e re u miratua që në vitin 2016 dhe plani ishte që në 2017 të mbyllej i gjithë procesi i reformës në drejtësi. Ankimimi i vetingut, çadra e PD dhe ankimimet në Kushtetuese sollën jo pak zvarritje. Por kur u kaluan të gjitha këto dhe vetingu nisi të japë rezultat, pritej që dy organet kryesore të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë të merrnin jetë. Deri më tani nuk ka ndodhur fare kështu. KLGJ e KLP kanë nga 11 anëtarë. 5 prej tyre për secilin institucion janë zgjedhur dhe vijnë nga shoqëria civile dhe juristët. Problem mbetet përzgjedhja e 6 prokurorëve dhe e 6 gjyqtarëve.
Por teksa për KLGJ tani kanë mbetur vetëm disa çështje procedurale, për KLP nuk gjendet dot një emër nga Apeli i Tiranë. Sipas ligjit, në KLP duhet të ketë përfaqësues nga të gjitha shkallët e prokurorisë, pra nga Prokuroria e Përgjithshme, Shkalla e Parë dhe nga Apeli. I vetmi përfaqësues nga Apeli ishte Luan Kaloçi, por ai ngeli në veting. Për këtë arsye po kërkohet një emër tjetër dhe askush nuk pranon të kandidojë. Gazeta ka mësuar se Prokuroria e Apelit Tiranë ka në dispozicion të saj në total 9 prokurorë.
Nga këta dy kanë ngelur në veting, të cilët janë: Gentian Trenova (anëtar i KED) dhe Luan Kaloçi (kandidat i KLP). Ndërsa vetingun e ka kaluar Fatjona Memçaj, por ajo është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për këtë arsye mbeten vetëm 6 emra për të plotësuar vendin vakant dhe ata janë: Dritan Peka; Edmond Hyka; Nezir Gjoka; Genti Xholi; Altin Dumani dhe Arben Qosja. Në fazën e parë asnjëri prej tyre nuk pranoi të bëhej pjesë e KLP. Tani mbeten dhe 15 ditë kohë dhe duke qenë se kemi të bëjmë me një numër kaq të ulët emrash, rreziku që të dështojë dhe faza e dytë është shumë i madh.
Dosjet që kanë shqyrtuar
Gazeta ka bërë një sërë kërkimesh mbi karrierën e 6 prej anëtarëve të Prokurorisë së Apelit, të cilët kanë në dorë fatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga 6 prej tyre, spikatin 4 emra, pasi ata janë mjaft të njohur për shkak të çështjeve që kanë shqyrtuar gjatë karrierës së gjatë në drejtësi. Edmond Hyka është një ndër prokurorët e dosjes së Gërdecit. Ai bëri apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për të pandehurit.
Por në Apel dënimet u ulën akoma dhe më shumë për 29 të akuzuarit. Një tjetër emër i njohur është Nezir Gjoka. Ai ka pasur në dorë çështjen ndaj ish-Guvernatorit Fullani. Edhe pse i ndoqi të gjitha shkallët e gjyqësorit duke e çuar çështjen në Apel dhe në Gjykatën e Lartë, Fullani arriti të lirohej. Tjetër emër është Genti Xholi. Ai ka qenë Kryeprokuror i Tiranës dhe ka pasur në dorë dosjen për ngjarjet e 1998 kur PD tentoi të rrëzonte qeverinë.
Ndërsa prokurori Altin Dumani ka pasur në dorë dosjen e “21 Janarit”, pasi ishte ai që e apeloi çështjen në Gjykatën e Lartë bashkë me kolegun e tij Shkëlqim Hajdari. Pra emrat që kanë në dorë fatin e KLP janë me një karrierë të gjatë dhe kanë pasur në dorë mjaft dosje me rëndësi, por sërish nuk janë të bindur për të qenë pjesë e këtij organi. Sipas informacioneve edhe ndërkombëtarët po lobojnë që të paktën të kandidojë njëri, por mbetet të shihet deri në fund të muajit. /Kliti Topalli