Disa pikëpyetje për rolin e SHISH në konspiracionin “Babalja”. Albert Veliu po vulos fatin e gazetarit Olldashi dhe të PD. “Kameramani” Florenc Hoxha pranon se xhiron… me orë, jo stilolaps!
Kur audio-përgjimet nisën të dilnin rradhë, u etiketuan nëpër media si “Babale 1”, “Babale 2”, ndërsa pritej dhe “Babale 3”, që u zëvendësua me lançimin e “Alizoti 1”… Pas intervistës së publikuar disa ditë më parë në Top Channel me Albert Veliun, pamë 2 versione të Babales: versionin e Babales prej Shqipërie, kur rrëfehej në mes të natës nga Selia e Partisë Demokratike, dhe versionin e Babales prej Kosove, kur rrëfehej nga kampi i azilit ku po gjen strehim prej disa muajsh, pasi u kondrabandua fshehurazi nga selia e PD-së. Por me një ndryshim themelor. Në Shqipëri, Babalja pa parti (kështu deklaroi) vinte vërdallë me xhepa plot, sa paguante edhe bodyguardin e tij Fredi Alizoti, ndërsa në Kosovë, Babalja tashmë prej Çamërie (kështu deklaroi) nxori publikisht xhepat ku kishte vetëm 4 Euro në to!
Kundërthëniet që po kalojnë çdo fantazi edhe për pasionantët më të flaktë të filmave “thriller”, po ngarkojnë aq shumë publikun me informacione të shumta me këtë histori, sa po e humbasin krejt fillin e fillimit të saj.
Mjafton një krahasim i thjeshtë i dy intervistave, asaj të Majit nga Selia e PD–së, dhe asaj të bërë nga Top Channel disa ditë më parë, për të kuptuar individin Babale, që ka bërë vlonjatët të turpërohen për origjinën e tij dhe çamët të përlyhen me emrin e tij sot.
Babale prej Kosove mohon çdo version të tij prej Shqipërie, kur tregon për marrëdhëniet që kishte me Agron Xhafajn. Ndërsa në Shqipëri për Agronin tregonte me mllef se kishte qejfmbetje se e kishte braktisur, në Kosovë, u shpreh se kishte me të marrëdhënie shumë të mira dhe po me të; “dilnim tek lokali i tij, pinim kafe, dilnim bashkë”.
Në Kosovë, rrëfen se: Atë ditë u mbyt Vlora që do bëja rrugën dhe kisha futur një çip në çantë. Kam blerë bar të thjeshtë. Se unë kam hequr dorë, kam bërë dënimin dhe nuk merrem më me këtë punë. Në këtë versionin tjetër të tij, Babale harroi të shpjegojë se nga e gjeti çip–in. Sepse po gjatë intervistës deklaroi se Olldashi (që e dinte si të SHIK–ut), i kishte dhënë vetëm 2 stilolapsa për të përgjuar, ndërsa punonjës të SHIK, i kishin dhënë një pult për përgjim.
Kush ia dha çipin Babales? Olldashi apo SHISH ? Apo të dyja palët bashkë?
Çipi nuk përmendet askund, por mbase në intervistën e tretë, Babalja dhe babalet pas tij do ta sajojë një version edhe për këtë.
Sipas dokumenteve që kanë dalë në media, SHISH ka qenë në ndjekje të një personi me emër Agron Hyseni, të cilin e ka mbajtur në vëzhgim dhe përgjim, pasi ky bashkë me Albert Veliun, Babalen e vërtetë, në vjeshtën e vitit 2017, dyshoheshin se kryenin trafik të lëndëve narkotike nëpërmjet detit, për në Itali. Nga ana tjetër, Albert Veliu, Babalja vetë ka qenë i përgjuar gjatë viteve 2015, 2016 po nga SHISH dhe nuk ka asnjë informacion nëse ky individ ka patur kontakte apo takime me Agron (Geron) Xhafaj. Tre vite përgjime dhe asnjë informacion nga SHISH!
Një fakt interesant mediatik është se Sali Berisha deklaron me shpërthimin e Babale 1, se “Agron Xhafën e kemi patur gjithnjë në përgjim!”.
Ishte shashkë digjitale e Sali Berishës, apo një e vërtetë e hidhur që vëllain e Ministrit të Brendshëm, apo të kryetarit të Reformës në Drejtësi, SHISH e kishte në përgjim, paçka se Agroni mund ta kishte mbiemrin Hyseni, por të paktën Babalja (Albert Veliu) mbetej i njëjti?!
Dihet që informacionin e klasifikuar të SHISH e kanë të aksesueshëm vetëm dy institucione në rastet kur ata e kërkojnë për arsye të çështjeve të Sigurisë Kombëtare: Presidenti dhe Kryeministri. Sali Berisha është dyshuar gjithnjë, që pas buzëqeshjes dhe ngërdheshjes së informacioneve digjitale, jepte mesazhin që “Unë jam aty…”. Në rastin konkret, institucioni nr. 3 pas Presidentit dhe Kryeministrit del se është ai vetë. Doktori vetë ish president dhe ish kryeministër, ish eprori SHIK apo më vonë i SHISH.
Disa pyetje të rënda sa vetë historia “Babale” lindin sot për SHISH: A e ka patur në survejim Agron (Geron) Xhafajn dhe çfarë informacioni disponojnë për tre vite përgjimesh të Albert Veliut (Babales)? Kush e pajisi me “çimka” apo “pulte” profesionale që s’janë stilolapsa amatore, Albert Veliun?
A ka dijeni Sali Berisha për kontaktet e grupit operativ të SHISH me Babalen në tre vite survejim?
Tani që farsa në Shqipëri ra, PD përpiqet ta mbajë atë gjallë ende në Kosovë. Dhe ndërsa në intervistën e parë nga Selia e PD-së, Babalja nga Shqipëria tha, se përgjimin e kishte çuar aty (në PD), “sepse këtu është institucioni më i besuar. Si ta çoja në Prokurori, si ta çoja kudo janë gjëra që do ishin manipuluar, do të ishin zhdukur, nuk e di. Këtu e solla, sepse këtu kam besim që luftohet gjithçka me drejtësi”, tashmë Babalja nga Prishtina, në pritje të azilit, u shpreh se iu drejtua PD–së, meqë “Partia Demokratike më ofroi mbështetje fizike. Që të garantojmë jetën. Si shtet tani, si kupolë që ata më garantuan jetën.”
Babalja kosovar po përpiqet ende të mbajë gjallë kureshtjen publike, kur pyetjes nëse ka material tjetër nga ai që është transmetuar, iu përgjigj se: “Ka shumë gjëra që unë nuk flas dot më…Ato i gjejnë ata vetë, Prokuroria ku i ka çuar. Se SHISH i ka dorëzuar në Prokurori nuk bëhet fjalë.”. Kësisoj, këtë herë pranon se ka patur përgjime që i paska bërë vetë, kur nga Selia e PD-së, në maj 2018, Babalja shqiptar deklaroi se: “Materiale të tjera s’kam ça them unë për Agronin… Filmime të tjera unë s’kam bërë, filmime të tjera. Filmimet i ka bërë vetë Agroni, nuk i kam bërë unë”.
Duket kaq qartë! Kuptohet shumë lehtë se ekzistenca e dy Babaleve, e dy versioneve, dhe pamundësia e këtij individi për t’i bërë sado pak të besueshme rrenat e tij me vlerë “4 euro”, është një arsye e fortë, pse eksponentët e Partisë Demokratike e larguan me urgjencë nga Shqipëria. Do ishte një katastrofë e vërtetë nëse Babalja do kapej dhe do t’i bëhej një gjyq televiziv. Me siguri që brenda ngrehinës pa themele që sajuan vetë, do binte e gjithë PD-ja ku në rrënoja do përziheshin Babalja me Lulin dhe Saliu me Alizotin.
Intervista e Babales në Kosovë, pritet të përkeqësojë edhe pozitën e gazetarit Jetmir Olldashi para organeve të drejtësisë.
Jetmir Olldashi ka deklaruar publikisht në emisionin Opinion majit 2018 para Blendi Fevziut, kur u pyet nga ky i fundit nëse “A e dinte Babalja që ti ishe gazetar”, ai tha se: E dinte, por Babalja mendonte që si gazetar do shkoja të merrja edhe mallin. Gjithë versionin e tij të historisë, Olldashi e mbështet mbi këtë linjë, duke pretenduar se shkoi për një investigim gazetaresk.
Ndërsa Babale nga Kosova, shprehimisht tha se, Olldashin ia kishte prezantuar djali i Partisë Demokratike duke të thënë që është i SHIK–ut: “Jo, ai më tha që jam i SHIK-ut, nuk më tha ky i Partisë Demokratike, ai më tha që jam i SHIK-ut.”.
Përballë këtyre dy thënieve, të paktën njëri nga të dy gënjen, ose mbase të dy bashkë, për të krijuar enkas konfuzion për opinionin publik.
Por pak rëndësi ka, kur këto deklarata të reja i japin tjetër drejtim procedimit penal të nisur ndaj gazetarit Jetmir Olldashi, i cili tanimë duhet të përballet edhe me një akuzë të re, atë të përvetësimit të atributeve të një personi që ushtron detyrën shtetërore, dhe që nëse organi i akuzës arrin të vërtetojë se këto veprime i ka kryer me qëllim përfitimi, mbi të mund të rëndojë dhe akuza e “mashtrimit”, që dënohet deri në gjashtë vjet burgim, kur është kryer në bashkëpunim. Jo pa qëllim gazetarit investigaativ i janë atashuar dy avokatë militantë të PD-së.
Gazetari Olldashi pritet të hyjë në historinë e post demokracisë dhe të shtypit të lirë. Jo vetëm si një prej personazheve më kryesorë në sajesën më vulgare publike për qëllime politike, por se mund të jetë gazetari i parë pas viteve 90’, që rrezikon të dënohet me burgim, për kryerjen e veprimeve kriminale që po në mënyrë banale, ende sot përpiqet t`i justifikojë me petkun e gazetarit skrupuloz dhe investigativ që nuk e tregon kurrë “burimin”.
Takimet e panumërta të Babales me Olldashin, çimkat, stilolapsat, pultet, CD–ja që përpunoi me apo për Ervin Salianjin ose me bashkëpunëtorin nr.3, që e “ruan” dhe nuk e tregon ende sot pas 1 viti që ka kryer udhëtimin “Babale”, janë enigma që drejtësia dhe hetimi duhet t’i zgjidhin dhe t’i përgjigjen sa më shpejt, për të qartësuar jo vetëm opinionin publik, por edhe komunitetin e gazetarisë së lirë në Shqipëri.
Babalja 1 polli Babalen 2. Ndërmjet dy Babaleve lindi Alizoti. Dje iu kujtua e vërteta “Gishtpremit” të PD-së Florenc Hoxha, i cili në ndryshim nga çimkat profesionale të SHISH, dhe stilolapsave amatoreske të Olldashit, tregoi se ka për hobi përgjimin me orë “smart”. Tre ditë resht diskutime dhe hamendësime publike, partiake dhe mediatike paskan qenë pas një të vërtete kaq të saktë sa dhe sahati inteligjent i militantit të PD-së, Florenc Hoxha.
Diskutimet dhe hamendësimet vazhdojnë prej gjysëm viti. Një tymnajë që fillon me shprehjen e Sali Berishës “I kemi patur në përgjim” dhe që tirret dhe humbet me histori përgjimesh që nuk i del i zoti, apo i atribuohet një derdimeni me nofkën “Babale”.
Por tymnaja duhet të fashitet duke marrë kronologjikisht Babale historinë në pyetje nga ne vetë, opinioni publik. Mbase ndihmojmë edhe vetë drejtësinë.
Ku është aparati që ka bërë përgjimet autentike, qoftë ky në formë çimke, stilolapsi, pulti makine apo ore me akrepa të plotë? E ka Salianji, Saliu, Olldashi apo Luli në sirtarin e tij?
Kush e ka përgjuar për tre vite rresht Babalen? SHISH, PD, apo të dy bashkë dhe çfarë kanë gjetur nga përgjimet e tij?
Dhe pyetja më e rëndë publike është kjo:
Kush përgjon gjithkënd në këtë vend? Strukturat partiake, apo ato shtetërore?
E vërteta sot duhet të dalë, që pasiguria që po ndiejmë, të kalojë. Atë do ta kërkojmë të gjithë ne, në median e lirë, pa pritur “të vërtetat” e Babales Çam nga Vlora, apo Patriot nga Kosova./DITA