Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot se do të dalin të gjithë emrat që janë të përfshirë në dosjen ‘Babale’, e cila rezultoi montazh dhe që prokuroria ka kërkuar arrest me burg për Albert Veliun dhe kunatin e tij Fredi Alizoti, i cili nga përgjimet e zbardhura nga Report Tv ka pranuar se do të merrnin 200 mijë euro nga PD.
I pyetur nga Report Tv nëse ka deputetë nga opozita që meritojnë të përballen me akuza penale për dosjen ‘Babale 1’, Rama tha se i di të gjitha dhe pret që të dalë e vërteta e plotë.
“Ua kam lënë juve të bëni gazetari, do i jepnit përgjigje shumë thjeshtë këtyre pyetjeve dhe shumë më parë se prokuroria të arrinte në gjysmë konkluzionet deri tani.
Unë i di të gjithë, por nuk dëshiroj që të them më tepër. Kam angazhuar një grup për të gjithë këtë dhe pres që e vërteta të dalë e plotë.
Nuk kam për ta lënë edhe sikur të zbutet, unë nuk jap vendime. Shqiptarët do e mësojnë me emra dhe me mbiemra kush është përfshirë në këtë konspiracion për rrëzimin e qeverisë.