Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është organ i radhës jo-funksional në sistemin e drejtësisë. Pas Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, as KED nuk e formon dot kuorumin për të marrë vendime për shkak të rezultateve të vetingut. Ky organ sipas ligjit ka 9 anëtarë dhe 3 të tjerë zëvendësues, por deri tani janë shkarkuar plot 7 anëtarë. Anëtari i shtatë i KED i shkarkuar dje është gjyqtari i Apelit të Korçës, Sotiraq Lubonja. Ai ngeli në veting për shkak të probleme të konstatuara me pasurinë gjatë hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Shkarkimi i tij shpartallon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Momentalisht ky organ ka vetëm 4 anëtarë: dy që kanë kaluar vetingun (Fatjona Memçaj dhe Vitore Tusha të cilës i ka mbaruar mandati) dhe dy që nuk kanë kaluar akoma në sitë (Endon Dhimitri dhe Fatos Qato). KED nuk merr dot vendime me 4 anëtarë dhe për të zgjidhur ngërçin e krijuar, Kuvendi iu drejtua pak ditë më parë Presidentit të Republikës me një shkresë.
Metës iu kërkua që të hidhte shortin për KED ose t’ia kalonte këtë kompetencë Kuvendit. Por kreu i shtetit deri tani nuk e ka ndërmarrë një veprim të tillë, duke argumentuar se KED e ka kuorumin për të marrë vendime. Por me dy shkarkimet e fundit të Sotiraq Lubonjës dhe Ahmet Jangullit, alibia e Metës bie poshtë. Por nëse KED nuk funksionon, atëherë nuk funksionon as Gjykata Kushtetuese. Kushtetuesja sot është me 1 anëtar dhe sipas ligjit, emrat zgjidhen nga Presidenca, Gjykata e Lartë dhe Kuvendi. Por që të tre këto institucione duhet më parë të marrin aprovimin e KED, i cili bën renditjen e kandidatëve. Pra në këtë moment Presidenti i Republikës vihet në provë për zhbllokimin e reformës në drejtësi, duke lejuar që KED të jetë funksionale sa më parë e duke i hapur kështu rrugë edhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Vetingu për Entela Priftin
Gjyqtarja e radhës që rrezikon shkarkimin për shkak të problemeve me pasurinë është Entela Prifti. Kryetarja e Gjykatës së Apelit Civil të Korçës doli dje përballë trupës gjykuese, e cila kishte kryer hetim vetëm për kriterin e pasurisë, pavarësisht kërkesës së gjyqtares për ta shtrirë hetimin në të 3 dimensionet. Nga hetimi i KPK ka rezultuar se Entela Prifti zotëron: apartament në Korçë 55 m2 të blerë në 2012 në bashkëpronësi me bashkëshortin, ku si burim ndër të tjera për blerjen e tij ka deklaruar edhe shumën 1 milion e 600 mijë lekë të dhuruara nga babai, por nuk ka dokumente ligjore që ta vërtetojë këtë; apartament 70 m2, për të cilin ka mospërputhje mes deklaratës veting dhe ILDKP; probleme me shitjen e dy makinave: i ka blerë 500 dollarë, por i ka shitur njërën 5 mijë dhe tjetrën 6 mijë euro; bashkëshorti i gjyqtares ka deklaruar një duplex 250 m2 në Korçë të blerë në 2004 për 2 milionë lekë, por sipas KPK, vlera e duplexit vlerësohet si 7 milionë lekë. KPK shtoi se në vitin 2004 ka bilanc negativ të pasurisë dhe nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të blerë apartamentin dhe një tokë arë në Voskopojë.
Gjyqtarja ka deklaruar një banesë 198 m2 në bulevardin “Republika” Korçë, por sipas pamjeve filmike nga disa televizione rezulton se banesa ka tre kate dhe përdoret si bar kafe dhe piceri. Relatorja tha se sipas deklarimit për këtë objekt, nuk korrespondon sipërfaqja në metra katrorë, nga deklarimet ndër vite, me atë veting. Nga deklarimet e subjektit për këtë pronë, bashkëshortit të saj ia dhuroi këtë pronë shtetasi Bujar Kore. KPK i ka kërkuar Entela Priftit që të japë shpjegime në lidhje me aftësinë paguese të zotit Kore./ Mimoza IBRA